Të ftuar:

Suela Bako – Regjisore, Aktore

Erjona Rusi – Gazetare, Moderatore

Të dyja i kemi parë shpesh në ekran në drejtimin profesional, njërën si aktore dhe regjisore dhe tjetrën si gazetare dhe moderatore.

Por shumë prej jush nuk e dinë që Suela Bako dhe Erjona Rusi kanë një raport të afërt dhe familjar. Sot të ftuara në emisionin “Rudina” në Tv Klan ato rrëfyen marrëdhënien e tyre si kunata.

Suela Bako është martuar me aktorin Romir Zalla dhe bashkë janë prindër të dy fëmijëve, Kaltrin dhe Hermes. Erjona Rusi është martuar me Edmond Zallën, vëllain e Romirit dhe kanë një vajzë Nikol. Gjatë emisionit kunatat rrëfyen se marrëdhënia mes tyre është shoqërore dhe se një nga arsyet se përse iu ka “ngjitur” me njëra-tjetrën është se asnjëra prej tyre nuk ka kuriozitet të tepërt për jetën e tjetrës.

“Unë nuk i referohem kurrë si kunatë, jemi më shumë si shoqe. Ne dilnim gjithmonë me njëri-tjetrin dhe asnjëherë unë nuk i kam parë takimet tona si qoka. I kam parë gjërat mes nesh me shumë shpirt dhe nuk do ishte kjo marrëdhënie që kemi sot nëse nuk do ta ndienim. Bashkëshorti im dhe Romiri kanë shumë humor dhe mendoj se kjo pjesë ka ndikuar në marrëdhënien tonë”, tregoi Rusi.

“Kur unë isha e fejuar me Romirin, Erjona ishte e dashuruar me Edin. Shumë shpejt marrëdhënia mes nesh u shkri dhe u bë e pavarur. Erjona punonte vonë natën kur ne jemi njohur, ishte në fillimet e gazetarisë, që në atë kohë kishte makinë dhe më është dukur shumë e pavarur. Mendoj se arsyeja se përse na ka ngjitur me njëra-tjetrën është se asnjëra prej ne të dyjave nuk ka kuriozitet të tepërt për jetën e tjetrës dhe mënyrën se si funksionon familja e tjetrës. Një tjetër gjë që e bën të funksionojë marrëdhënien është lloji i profesioneve që kemi, e kuptojmë ngarkesën e punës së tjetrit”, tha Bako.

Roland Hysi – Drejtor Ekzekutiv i “Special Olympics Albania”, Këngëtar

Gersi Troka – Notar

Lulezim Koçi – Atlet

Atë e kemi njohur si këngëtar, kryesisht si pjesë e grupit West Side Family, por gjithashtu ai është angazhuar shpesh me çështje sociale. Tashmë prej gati 2 vitesh ai i është përkushtuar një nisme sociale, si pjesë e “Special Olympics Albania”, një organizatë jofitimprurëse që ka në fokus personat me aftësi të kufizuar mendore/intelektuale.

Roland Hysi, në pozicionin e drejtorit ekzekutiv, ishte sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan së bashku me dy “atletët”, 19-vjeçarin Gersi Troka që ka pasion notin dhe Lulëzim Koçi, 24-vjeçarin e apasionuar pas atletikës. Në muajin Mars, Troka dhe Koçi do të marrin pjesë në “Special Olympics World Games 2019”, si përfaqësues të “Special Olympics Albania”.

Organizata e akredituar më datën 6 Prill 2018 nga “Special Olympics International”, ka si synim të përcjellë vlera jo vetëm për komunitetin e personave që kanë aftësi ndryshe intelektuale, por edhe më gjerë. “Plan to Include” është nisma më e fundit e “Special Olympics Albania”, e cila synon ndërgjegjësimin mbi gjithëpërfshirjen përmes sporteve të personave me aftësi të kufizuara.

“Ka qenë koicidencë që unë me djemtë kemi kënduar në “Special Olympics” më parë. Unë kam qenë pjesë e aktiviteteve vullnetare dhe mbështetës social. Aktiviteti im tërhoqi vëmendjen e Endrit, i cili më pyeti nëse mund të bëhesha pjesë. Jemi të shtrirë vetëm në Tiranë aktualisht, por duam ta shtrijmë aktivitetin në të gjithë Shqipërinë. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të na bashkohen për të zhvilluar aktivitete në gjithë Shqipërinë. Sporti është provuar që sjell një mori të mirash dhe fokusi jonë është sporti dhe trajnimi të paktën 2 herë në javë në disiplinat që ne zhvillojmë”, tha Hysi.

“Unë kam filluar me notin që në moshën 9-vjeçare. Zgjodha notin sepse kam pasion të notoj. Unë mund t’i bie rrotull pishinës 100 herë. Kam marrë pjesë në disa aktivitete dhe kam marrë disa çmime”, tha Gersi.

“Po përgatitemi për në Abu Dhabi. Unë stërvitem çdo ditë, një herë ose dy herë në ditë”, tha Lulëzim Koçi.

Alda Bogdanin – Event Planner