Mbi 17 persona janë vrarë në Rusi dhe Ukrainë pas një vale të re sulmesh të rënda mes dy vendeve, ndërsa lufta vazhdon të shkaktojë viktima civile dhe dëme në zona të ndryshme.

Sipas autoriteteve lokale ruse, të paktën 14 persona kanë humbur jetën në territorin e Rusisë. Guvernatori i rajonit jugor të Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, deklaroi se gjashtë persona, mes tyre tre fëmijë, u vranë pasi mbetjet e një droni ranë në fshatin turistik Arkhipo-Osipovka pranë qytetit Gelendzhik. Nga incidenti mbetën të plagosur rreth 40 persona.

Në Krimenë e pushtuar nga Rusia, kryetari i vendosur nga Moska, Sergey Aksyonov, njoftoi se numri i viktimave kishte shkuar në katër persona, ndërsa dy të tjerë ishin plagosur. Ndërkohë, guvernatori në detyrë i rajonit Belgorod, Alexander Shuvaev, raportoi për katër civilë të vrarë dhe 17 të plagosur në zonat pranë kufirit me Ukrainën.

Nga ana tjetër, në Ukrainë, tre persona humbën jetën pas një sulmi rus në një pikë karburanti në distriktin Kryvyi Rih, në rajonin e Dnipropetrovskut. Mes viktimave ishte një punonjës i emergjencave dhe djali i tij tetëvjeçar. Guvernatori rajonal Oleksandr Hanzha tha se sulmi shkaktoi zjarr dhe dëmtoi pikën e karburantit dhe automjetet përreth.

Numri i viktimave civile është rritur gjatë muajve të fundit, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të mohojnë se kanë shënjestruar civilët gjatë sulmeve të tyre.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi gjithashtu se forcat e saj kishin marrë nën kontroll vendbanimet Bilyi Kolodiaz dhe Uspenivka në rajonin e Kharkivit, në lindje të Ukrainës.

Ndërkohë, Ukraina ka vijuar sulmet ndaj objektivave në territorin rus. Në një nga sulmet e fundit, një dron goditi një magazinë të kompanisë së madhe ruse të tregtisë online Uildberries, në fshatin Khryastovo të rajonit Vladimir.

Sipas raportimeve nga Kievi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka akuzuar Uildberries se luan një rol në përpjekjet e Rusisë për luftën. Gazetarja e Al Jazeera-s, Audrey MacAlpine, raportoi se disa hetime online nga organizata të pavarura kanë pretenduar se platforma ka shitur produkte me përdorim të dyfishtë, përfshirë pajisje mbrojtëse, helmeta ushtarake të përdorura, jelekë antiplumb dhe kabllo me fibra optike që mund të përdoren në teknologjinë e dronëve.

Zhvillimet e fundit vijnë pas takimit të javës së kaluar mes presidentit ukrainas Zelenskyy dhe presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Zelenskyy e përshkroi takimin si “të mirë” dhe kërkoi mbështetje amerikane për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

Çështja e furnizimit me sisteme mbrojtëse dhe raketa për interceptimin e sulmeve ajrore ishte diskutuar gjithashtu gjatë një bisede telefonike mes Zelenskyyt dhe nënpresidentit amerikan JD Vance.

/tvklan.al