PËRDITËSIMI I FUNDIT ORA 22:02

◾Kombet e Bashkuara kanë thënë për BBC se numri i refugjatëve që kanë ikur nga lufta në Ukrainë i ka kaluar 2 milionë.

◾Njerëzit po evakuohen nga verilindja e qytetit Sumy dhe Irpin pasi u dakordësua një armëpushim për të lejuar civilët të largohen.

◾Zyrtarët ukrainas thonë se Rusia po bombardon një korridor evakuimi nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.

◾Ditët e undit disa plane evakuimi kanë dështuar si pasojë e sulmeve të vazhdueshme ruse.

◾Ministri i Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, Ben Wallace, thotë se trupat ruse nuk kanë avancuar ashtu siç shpresonin dhe janë duke u demoralizuar gjithnjë e më shumë.

◾Shell thotë se do të ndalojë menjëherë të gjitha blerjet e naftës së papërpunuar ruse pas kritikave

◾Zv/kryeministri rus ka paralajmëruar se mund të hakmerret ndaj sanksioneve evropiane duke ndërprerë gazin natyror për bllokun.

Rusia do të ndalojë të shtënat në disa qytete të Ukrainës nga ora 8 e mëngjesit

Rusia do të ndalojë të shtënat në disa qytete të Ukrainës në mëngjesin e ditës së nesërme nga ora 08:00 me orën lokale (10:00 me orën e Moskës) për të lehtësuar korridoret humanitare, tha agjencia ruse e lajmeve TASS, teksa citonte një zyrtar të lartë rus.

Korridoret humanitare për civilët thuhet se do të krijohen për Kiev-in, Kharkiv-in dhe qytete të tjera.

Ndërkohë situata në këto qytete është mjaft e rëndë. Sipas policisë ukrainase, të paktën 27 civilë janë vrarë në qytetin verilindor të Kharkivit në 24 orët e fundit. Qyteti i dytë më i madh në Ukrainë është shkatërruar si pasojë e sulmeve ajrore ruse që nga fillimi i luftës më 24 Shkurt.

Polonia i ofron Ukrainës avionët e saj luftarakë

Polonia i ka ofruar Ukrainës avionët e saj luftarakë MIG-29. Ministria e Jashtme e Polonisë ka konfirmuar se është e  gatshme që avionët t’i dërgojë në bazën ajrore amerikane Rammstein në Gjermani.

Këta avionë MIG-29 do t’i vihen në dispozicion qeverisë së SHBA dhe më pas mendohet se do t’i dorëzohen Ukrainës.

Polonia kërkoi edhe nga aleatët e tjerë të NATO-s që të veprojnë në të njëjtën mënyrë për të ndihmuar Ukrainën. Të shtunën, Presidenti ukrainas Zelensky u bëri thirrje vendeve Perëndimore për më shumë avionë luftarakë.

14,000 rusë janë arrestuar në protestat kundër pushtimit të Ukrainës

Drejtori i CIA-s, Bill Burns, deklaroi në Komitetin e Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së se rreth 14,000 qytetarë rusë janë arrestuar në protestat kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Burns tha se kundërshtimi ndaj presidentit Vladimir Putin nga qytetarët rusë “nuk është një gjë e vogël”, por vuri në dukje se propaganda e mediave shtetërore do të ndikojë tek qytetarët rusë.

“Ata shohin funeralet në Rusi të ushtarëve të rinj rusë që u vranë në Ukrainë që kthehen në shtëpi dhe kjo do të ketë një ndikim të madh me kalimin e kohës”, tha ai. 

Burns paralajmëroi se kontrolli i medias nga Putini do ta ndihmojë atë të shmangë disa trazira popullore.

“Në një mjedis në të cilin media shtetërore ruse dominon atë që shumë njerëz dëgjojnë për atë që po ndodh në Ukrainë, do të duhet kohë, mendoj unë, që njerëzit të kuptojnë  pasojat e zgjedhjeve që Putin bëri personalisht”, tha Burns.

Mbajti një simbol lufte në podiumin e Kupës së Botës, gjimnasti rus nuk pendohet

Gjimnasti rus, Ivan Kuliak ka thënë se nuk i vjen keq që ka mbajtur një simbol në mbështetje të pushtimit të Ukrainës në podium pas një gare të Kupës së Botës në Doha të shtunën. Kuliak bashkangjiti shkronjën ‘Z’ në gjoks përpara se të merrte medaljen e tij bronztë në garën e fituar nga Illia Kovtun i Ukrainës. Kjo shkronjë është parë në tanket ruse dhe është konsideruar si një shenjë e mbështetjes për pushtimin.

Veprimi i 20-vjeçarit u dënua si ‘veprim shokues’ nga Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës (FIG), e cila i ka kërkuar Fondacionit të saj të Etikës në Gjimnastikë që të nisë një hetim.

Por Kuliak, i cili përballet me mundësinë e një hetimi nuk u pendua duke thënë në televizionet ruse sot:

Nëse do të kishte një shans të dytë dhe do të kisha një zgjedhje për të dalë në podium me shkronjën “Z” në gjoks apo jo, unë do të bëja të njëjtën gjë. E pashë atë në tanket e ushtrisë tonë dhe zbulova se çfarë do të thotë ky symbol: “Për fitore” dhe “për paqe”. Unë thjesht doja të tregoja pozicionin tim.

Si një sportist, unë gjithmonë do të luftoj për fitore dhe do të luaj për paqen, tha ai.

Para ngjarjes në Doha, FIG kishte njoftuar se të gjithë gjimnastët dhe zyrtarët rusë nuk do të marrin pjesë në ngjarjet ndërkombëtare nga 7 Marsi deri në njoftimin e mëtejshëm në përputhje me sanksionet sportive globale kundër Rusisë.

Të paktën 27 civilë janë vrarë në Kharkiv në 24 orët e fundit

Sipas policisë ukrainase, të paktën 27 civilë janë vrarë në qytetin verilindor të Kharkivit në 24 orët e fundit.

Qyteti i dytë më i madh në Ukrainë është shkatërruar si pasojë e sulmeve ajrore ruse që nga fillimi i luftës më 24 Shkurt.

Ditën e djeshme, qindra persona janë fotografuar të grumbulluar së bashku në stacionin hekurudhor Kharkiv teksa përpiqeshin të hipnin në trena që të largoheshin nga qyteti.

Sipas burimeve zyrtare, që nga fillimi i luftës janë vrarë 170 persona në të gjithë rajonin e Kharkiv, duke përfshirë pesë fëmijë.

McDonald’s do të mbyllë përkohësisht 850 restorantet në Rusi

Rrjeti i ushqimeve të shpejta tha se do të mbyllë përkohësisht të gjitha (850) restorantet e tij në Rusi, në një kohë që bota vazhdon t’i përgjigjet pushtimit të Ukrainës nga Moska. Megjithatë, McDonald’s tha se do të vazhdojë të paguajë 62,000 punonjësit e saj në Rusi “të cilët kanë dhënë zemrën dhe shpirtin e tyre në markën tonë McDonald’s”.

Shefi i McDonald’s, Chris Kempckinski tha:

“Vlerat tona nënkuptojnë se ne nuk mund të injorojmë vuajtjet e panevojshme njerëzore që shpalosen në Ukrainë.”

Ai shtoi se është e pamundur të dihet se kur do të rihapen restorantet në Rusi.

Hapat e ndërmarra nga McDonald’s ndjekin atë të markave të tjera duke përfshirë Apple, Samsung, Zara dhe marka të tjera prestigjioze.

Udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar i përgjigjen fjalimit të Zelensky-t

Pas fjalimit historik të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, kryeministri britanik Boris Johnson ka folur në Dhomën e Komunave. Teksa i është përgjigjur presidentit ukrainas, Johnson tha:

“Asnjëherë më parë në të gjithë shekujt tanë të demokracisë, Dhoma nuk ka dëgjuar një fjalim të tillë”.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar do të “vazhdojë” furnizimin e Ukrainës me armët që i nevojiten dhe shtrëngimin ekonomik ndaj Putin-it.

“Ne do të përdorim çdo metodë që mundemi, diplomatike, humanitare dhe ekonomike, derisa Vladimir Putin të ketë dështuar dhe Ukraina të jetë sërish e lirë”, tha ai.

Udhëheqësi i laburistëve, Sir Keir Starmer vlerësoi udhëheqjen e Zelensky. Ai tha se presidenti ukrainas e ka nxitur botën të veprojë.

“Shumë shpesh ne e kemi lënë Putinin të ndjekë rrugën e tij”, tha ai.

Udhëheqësi i SNP, Ian Blackford, foli gjithashtu duke thënë se Mbretëria e Bashkuar qëndron me popullin e Ukrainës dhe do të bëjë gjithçka që mundet.

“Nuk do të dorëzohemi, nuk do të humbasim”, Zelensky mban fjalim të fuqishëm para deputetëve britanikë

Para fjalimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, deputetët britanikë i dhanë duartrokitje të vazhdueshme. Më pas, në një deklaratë të fuqishme, Zelensky e krahasoi luftën me Rusinë me përpjekjet e Britanisë në Luftën e Dytë Botërore.

“Ditën e parë në orën 4 të mëngjesit ne u sulmuam nga raketa, të gjithë u zgjuan, njerëzit, fëmijët, e gjithë Ukraina dhe që atëherë ne nuk kemi fjetur. Të gjithë kemi luftuar për vendin tonë”, tha ai para deputetëve britanikë.

Zelensky vazhdoi të shpjegojë se si lufta u zhvillua ditë pas dite, duke thënë se bombardimet e vazhdueshme kanë ndodhur në të gjithë vendin.

“Unë do të doja t’ju kujtoja fjalët që Mbretëria e Bashkuar ka dëgjuar dhe më përpara, të cilat janë dhe tani shumë të rëndësishme”, tha ai përpara se të parafrazonte Churchill.

“Ne nuk do të dorëzohemi, nuk do të humbasim, do të luftojmë deri në fund, në det dhe në ajër, do të vazhdojmë të luftojmë për tokën tonë me çdo kusht. Ne do të luftojmë në pyje, në fusha, në brigje, në rrugë”.

Gjatë fjalës së tij, Zelensky përmendi sulmin në termocentralin më të madh bërthamor në Evropë dhe një takim të NATO-s, i cili nuk përfundoi ashtu siç shpresonte Ukraina. Presidenti ukrainas u shpreh se ndjen se aleanca ushtarake “nuk funksionon siç duhet”, duke iu referuar diskutimit për të rënë dakord për zbatimin e një zone ndalim-fluturimi.

Presidenti ukrainas shtoi se mbi 50 fëmijë janë vrarë deri më tani në konflikt.

Zelensky më pas i kërkoi Johnson-it të rrisë presionin ndaj Rusisë dhe ta njohë atë si një “shtet terrorist”.

Mbretëria e Bashkuar do të heqë gradualisht importin e naftës ruse deri në fund të vitit 2022

Mbretëria e Bashkuar do të heqë gradualisht “importin e naftës dhe produkteve të naftës ruse deri në fund të vitit 2022”, sipas Sekretarit të Biznesit dhe Energjisë në Mbretërinë e Bashkuar, Kwasi Kwarteng.

“Ky tranzicion do t’i japë tregut, bizneseve dhe zinxhirëve të furnizimit më shumë kohë për të zëvendësuar importet ruse, të cilat përbëjnë 8% të furnizimeve në Mbretërinë e Bashkuar,” tha ai në Twitter.

Kwarteng shtoi se qeveria do të vazhdojë që të punojë me kompanitë për t’i mbështetur ato në gjetjen e furnizimeve alternative.

“Mbretëria e Bashkuar është një prodhues i rëndësishëm i naftës dhe produkteve të naftës, plus ne kemi rezerva të konsiderueshme. Përtej Rusisë, shumica dërrmuese e importeve tona vijnë nga partnerë të besueshëm si SHBA, Holanda dhe Gjiri. Ne do të punojmë me ta këtë vit për të siguruar furnizime të mëtejshme”, tha Kwarteng.

Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar nuk është e varur nga gazi natyror rus, pasi ai përbën vetëm 4% të furnizimit në Mbretërinë e Bashkuar.

SHBA: Rusisë i janë vrarë 2000-4000 ushtarë në Ukrainë

Rusia mendohet që të ketë humbur 2 mijë deri në 4 mijë ushtarë në luftën që po zhvillon në Ukrainë. Këto të dhëna janë bërë publike nga kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë një seance dëgjimore në Kongresin Amerikan.

“Nuk kishin një plan të mirë”, tha Scott Berrier duke raportuar për pasojat e luftës Rusi-Ukrainë deri në këto momente.

Ndërsa pala ukrainase ka dhënë shifra akoma më të larta për ushtarët rusë të cilët janë vrarë gjatë luftës. Dy ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës bëri të ditur një komandant i lartë ushtarak rus u vra gjatë luftimeve në qytetin Kharkiv.

Bursa e Moskës do të qëndrojë e mbyllur

Bursa e Moskës do të qëndrojë e mbyllur ditën e nesërme (9 Mars), ka njoftuar Banka Qendrore në një deklaratë.

Do të lejohen vetëm disa veprime të kufizuara, sipas deklaratës.

Bursa është mbyllur që nga 28 Shkurti, pasi Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë perëndimorë vendosën sanksione dhe rubla ruse ra në nivele rekord ndaj dollarit amerikan.

Joe Biden shpall zyrtarisht ndalimin e importeve të naftës dhe gazit rus

Presidenti amerikan, Joe Biden ka njoftuar zyrtarisht se do të ndalohen importet e naftës ruse si përgjigje ndaj pushtimit rus në Ukrainë. Biden shtoi se ndalimi i importeve do të përfshijë gjithashtu atë të gazit dhe të energjisë nga Rusia.

Kjo do të jetë një goditje tjetër për ekonominë ruse, e cila tashmë është goditur nga një sërë sanksionesh nga Perëndimi.

Përmes një deklarate për shtyp, Biden tha se SHBA-ja e mori këtë vendim pas një konsultimi me aleatët e saj. Ai shton se e disa nga aleatët evropianë nuk do të arrijnë të bëjnë të njëjtën gjë për shkak të varësisë së tyre nga nafta ruse.

Gjatë fjalës së tij, presidenti theksoi se SHBA ka zbatuar sanksionet më të rëndësishme në histori ndaj Rusisë dhe ka dëmtuar aftësinë e vendit për të bërë biznes duke dëmtuar ekonominë e saj. Megjithatë, Biden ka paralajmëruar se kjo masë do të prekë amerikanët me çmimin e gazit që pritet të rritet.

“Unë do të bëj gjithçka që mundem për të minimizuar rritjen e çmimit”, tha Biden.

Pavarësisht listës së gjatë të sanksioneve që i janë vendosur presidentit rus, Biden paralajmëroi se “Putini duket i vendosur të vazhdojë rrugën e tij vrastare, pavarësisht kostos”.

Rusia ka kërcënuar më parë se do të ndërpresë të gjitha furnizimet me gaz në Perëndim nëse zbatohet një ndalim për importet e saj të naftës.

“Do t’ju qëllojmë si qen të tërbuar për çdo fëmijë të vrarë”, 6 gra ukrainase zotohen për hakmarrje

Për “Ditën e Gruas”, disa gra ukrainase kanë bërë publik një mesazh rrëqethës ku thonë se do të hakmerren për çdo fëmijë të vrarë në pushtimin rus të vendit të tyre.

Në një video të bërë publike në TikTok, 6 gra që mbajnë mitralozë të veshura me veshje luftarake shprehen se do të shkatërrojnë armikun. Videoja nis me një grua, fytyra e së cilës është e mbuluar me një shall lufte, e cila dëgjohet të thotë: Ne jemi gratë e Ukrainës.

Videoja, e cila ka titra në anglisht, vazhdon me gratë që thonë se nuk do të qëndrojnë më pasive dhe ‘do ta mbrojnë vendin e tyre nga armiku’.

“Ne do ta shkatërrojmë armikun në çdo pëllëmbë të tokës ukrainase. Në çdo qytet, fshat, pyll dhe fushë. Për çdo fëmijë, grua, plak, shtëpi dhe rrugë të dëmtuara – do t’ju qëllojmë si qen të tërbuar.’

Videoja përfundon me mesazhin: “Lavdi Ukrainës – vdekje armiqve”.

Një fëmijë 6-vjeçar vdes nga dehidratimi në Mariupol

Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se një fëmijë kishte ndërruar jetë si pasojë e dehidratimit në Mariupol.

Ky qytet është përballur me bombardime të rënda që nga fillimi i luftës 13 ditë më parë dhe po përballet me mungesë ushqimi, ujë dhe energji elektrike.

Armëpushimet e përkohshme në rajon kanë dështuar në shumë raste, pavarësisht premtimeve nga Moska se do të krijohen korridore humanitare për evakuimin e civilëve.

Pritet që Britania e Madhe të ndalojë importet e naftës ruse

Duket se Boris Johnson do të ndalojë importet e naftës ruse. Pritet që kryeministri britanik të konfirmojë se Mbretëria e Bashkuar do të ndalë importet e naftës ruse deri në fund të vitit 2022, raporton Sky News.

Megjithatë, mësohet se sot nuk do të ketë asnjë njoftim për gazin.

Kjo vjen pasi raportet thanë se presidenti i SHBA Joe Biden ishte gati të ndalonte gjithashtu të gjitha importet e naftës ruse.

OKB: Të paktën 474 civilë janë vrarë në Ukrainë deri më tani

Sipas shifrave të fundit nga OKB, të paktën 474 civilë, përfshirë 29 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 Shkurt.

Shifra e vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë, siç beson OKB-ja.

“Kjo ka të bëjë, për shembull, me qytetet Volnovakha, Mariupol, Izium ku ka pretendime për qindra viktima civile. Këto shifra janë duke u vërtetuar më tej dhe nuk janë përfshirë në statistikat e mësipërme. Shumica e viktimave civile të regjistruara u shkaktuan nga përdorimi i armëve shpërthyese me një zonë të gjerë ndikimi, duke përfshirë granatimet nga artileria e rëndë dhe sistemet e raketave me shumë lëshime, dhe sulmet me raketa dhe ajrore”, thuhet në deklaratë.

Premier League pezullon marrëveshjen me partnerin rus të transmetimit

Premier League ka pezulluar marrëveshjet me transmetuesin rus, Rambler.

Ky veprim është me efekt të menjëhershëm dhe ndeshjet nuk do të shfaqen më në këtë media.

“Liga dënon me forcë pushtimin rus të Ukrainës. Ne bëjmë thirrje për paqe dhe mendimet tona janë me të gjithë ata që janë prekur nga lufta”, thuhet në deklaratën e Premier League.

Një donacion prej 1 milion £ do t’i dhurohet gjithashtu Komitetit të Emergjencave të Fatkeqësive (DEC) për të ofruar ndihma humanitare për njerëzit në Ukrainë, shtoi liga.

Biden do të ndalojë importet ruse të energjisë

Presidenti amerikan Joe Biden pritet të ndalojë këtë të martë importet e naftës, gazit natyror dhe qymyrit rus në SHBA. Lajmi raportohet nga CNN, që citon 3 burime familjare me këtë vendim.

SHBA do ta bëjë këtë lëvizje në mënyrë të njëanshme, pa aleatët e saj europianë, për shkak të mosmarrëveshjes midis kombeve europiane nëse do të ndalojnë energjinë ruse.

Zyrtarët amerikanë vendosën, duke marrë parasysh presionin ekstrem politik në vend, se mund ta bënin këtë lëvizje pa koalicionin dhe të mos krijonin problematika të tjera, shkruan CNN.

Biden pritet që ta japë lajmin në orën 10:45, me orën lokale.

Stoltenberg: NATO duhet të sigurojë që konflikti të mos përhapet përtej Ukrainës

NATO ka përgjegjësinë që të sigurohet që konflikti të mos përhapet përtej Ukrainës, tha këtë të martë Sekretari i Përgjithshëm i saj, Jens Stoltenberg.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Riga me presidentin letonez Egils Levits, Stoltenberg i cilësoi të tmerrshme vuajtjet që bota po dëshmon nga Ukraina.

“Ne kemi përgjegjësinë për të siguruar që konflikti të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës. Kjo do të ishte edhe më e rrezikshme, shkatërruese dhe akoma më vdekjeprurëse. Situata mund të dalë jashtë kontrollit”, tha Stoltenberg.

Në përgjigje të situatës dhe për t’u “siguruar se nuk ka vend për llogaritje gabim në Moskë”, NATO ka forcuar ndjeshëm praninë e saj në pjesën lindore të aleancës, theksoi Stoltenberg.

“Ne kemi 130 avionë në gatishmëri të lartë. Mbi 200 anije nga veriu deri në Mesdhe dhe 1000 trupa shtesë në rajon. NATO do të mbrojë dhe çdo centimetër të territorit aleat”, tha Stoltenberg.

Deri më tani, NATO ka refuzuar të përfshihet në mënyrë direkte në konflikt, përfshirë mbylljen e hapësirës ajrore mbi Ukrainës.

Rusia, SHBA-ve: Mund t’i kthehemi ‘bashkë-ekzistencës paqësore’ të Luftës së Ftohtë

Ministria e Jashtme ruse thotë se është e hapur për dialog të sinqertë dhe reciprok me SHBA, sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax.

Në një mesazh për Amerikën, thuhet se dy vendet duhet t’i kthehen parimit të “bashkë-ekzistencës paqësore” si në kohën e Luftës së Ftohtë.

Rusia thotë po ashtu se shpresa për rivendosjen e marrëdhënieve normale mes dy vendeve mbetet.

SHBA ka vendosur aktualisht disa prej sanksionet më të ashpra ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë.

Rusi-Ukrainë, Presidenti i Kinës bën thirrje për bisedime paqeje

Presidenti kinez Xi Jinping e ka përshkruar situatën në Ukrainë si shqetësuese dhe bëri thirrje për “përmbajtje maksimale”.

Sipas asaj që shkruan BBC, komentet ai i bëri gjatë një takimi virtual me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Xi tha se prioriteti duhet të jetë parandalimi i daljes jashtë kontrollit të situatës në Ukrainë dhe tha se të tre vendet duhet të mbështesin bashkërisht bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.

Kina dhe Rusia aktualisht gëzojnë një marrëdhënie të ngushtë diplomatike dhe Pekini as nuk e ka dënuar dhe as e ka mbështetur veprimin kundër Ukrainës. Megjithatë Kina abstenoi nga një votim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënonte pushtimin.

Shkon në 2 milion numri i të larguarve nga Ukraina

2 milion është numri i personave të larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus, tha këtë të martë kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët (UNHCR). Dje, kjo shifër ishte rreth 1.7 milionë.

Kjo vjen pasi zyrtarët ukrainas thanë se kishin nisur evakuimin e civilëve nga qyteti verilindor i Sumy dhe nga qyteti i Irpin. Evakuimet filluan pasi zyrtarët rusë dhe ukrainas ranë dakord të krijojnë korridore humanitare për të lejuar njerëzit të largohen nga disa zona.

“Më e keqja nuk ka ardhur ende”

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken zhvilloi këtë të martë një takim kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Kallas përsëriti nevojën për mbështetje të përbashkët ndaj Ukrainës, një mesazh që është theksuar nga Perëndimi që nga fillimi i pushtimit.

Megjithatë ajo kishte një paralajmërimtë zymtë: “Duhet të përgatitemi për më të keqen. Më e keqja nuk ka ardhur ende”. Ajo bëri thirrje për izolim të Rusisë nga bota dhe tha se duhen kufizuar kriptovalutat në mënyrë që të mbyllen “boshllëqet” në sanksione.

“Ne do të vazhdojmë të gjejmë mjete të reja derisa makina e luftës së Putin të paralizohet“, tha Kallas.

Ndërsa Blinken shtoi se SHBA vazhdon të shpresojë për më të mirën, por është e përgatitur për më të keqen. Ai tha se numri i civilëve të vrarë dhe të plagosur vazhdon të rritet dhe se vijojnë raportimet për bombardime nga forcat ruse në korridoret humanitare.

Sekretari amerikan i Shtetit tha më tej se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët në NATO janë të përgatitur “për t’u përballur me çdo kërcënim që vjen në drejtimin tonë”.

Nuk ndalen bombardimet ruse ndaj civilëve

Bombardime të ashpra me artileri e avionë rusë përjetuan gjatë natës, banorët e qytetit verior të Sumit në Ukrainë. Ushtria ruse nuk kurseu as banesat e civilëve në periferi të qytetit. Autoritetet ukrainase flasin për 18 civilë të vrarë mes të cilëve 2 fëmijë.

Rusët nuk i ndalën bombardimet gjatë natës edhe pse qyteti 250 mijë banorësh përfshihet në hartën e korridoreve të evakuimit të civilëve, të hapur nga vetë ushtria ruse dhe të dakordësuar edhe në takimin e tretë të delegacioneve të Kievit dhe Moskës, të Hënën.

Kjo hartë tregon me vija të verdha rrugët e evakuimit, ku dallohet që banorët e Sumit janë të lirë të shkojnë vetëm drejt Rusisë. Gjatë kësaj të Marte, qytetarët që largohen nga qyteti i themeluar rreth 4 shekuj më parë, ishin të shumtë.

Luftime e bombardime të ashpra edhe në Harkiv e rrethinat e Kievit, ku ushtria ruse pret vetëm urdhrin për sulm, pasi Moska të vendosë fundin e pritjes për evakuimin e civilëve.

Në një intervistë të drejtpërdrejtë për mediat amerikane, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski paralajmëroi se të gjitha gjasat tregojnë se lufta e Ukrainës do të shndërrohet herët a vonë në konflikt botëror, nëse Rusia merr kontrollin e gjithë territorit.

Për të shmangur thellimin gjakderdhjes, ai kërkoi sërish nga NATO të vendosë zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, të cilën aleanca e refuzon, me argumentimin se kjo do të nënkupton zyrtarisht nisjen e Luftës së Tretë Botërore.

Megjithatë, kreu i shtetit ukrainas tha se është gati të diskutojë edhe për statusin e Krimesë apo republikave separatiste të Luhansut e Donjeckut, me kusht që Rusia të reshtë së bëri presion dhe të ulët në tryezën e bisedimeve si e barabartë.

Më herët, ai u shfaq para mediave në zyrën e tij në Kiev, duke i dhënë fund spekulimeve se ai strehohet jashtë Ukrainës.

Merr fund dilema, pse po e përdor Rusia shkronjën “Z”

Merr më në fund dilema se çfarë nënkupton shkronja “Z” në mjetet ushtarake të Rusisë. Simboli u dallua fillimisht në tanke. Tashmë është kthyer në një simbol mbështetje për pushtimin e Rusisë në Ukrainë.

Përdorimi i “Z” është bërë nga njerëz të ndryshëm dhe po merr trajta mbarëkombëtare në Rusi. Fillimisht ishin disa fëmijë të sëmurë rëndë në Kazan që së bashku me nënat e tyre krijuan shkronjën “z” në shenjë mbështetje ndaj pushtimit.

Më pas, një gjimnast rus e përdori shkronjën “Z” teksa merrte një çmim në një kompeticion në Katar.

Nga vjen ky simbol?

Ka pasur disa ide për origjinën e saj. Disa thonë se “Z” qëndron për “Za pobedu” (qe do të thotë “për fitoren”). Disa të tjerë e kanë përkthyer si “Zapad” (Perëndim).

Ndërkohë që spekulimet kanë shkuar deri aty saqë e kanë krahasuar me svastikan që u përdor në Luftën e Dytë Botërore nga nazistët gjermanë. Madje “Z”-së i kanë vënë pseudonimin “svastika e Putinit”

Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes ruse duket se ka konfirmuar versionin e parë. Në një postim në rrjetet sociale të ushtrisë ruse ishin publikuar tre foto. Në to shfaqeshin ushtarë të sotëm me ata sovjetikë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore ku u ishte bashkangjitur simboli “Z” së bashku me fjalën rusisht “për fitoren”.

Në fillim u mendua që “Z” ishte edhe një mënyrë që ushtria ruse të identifikonte forcat e saj të veta duke parandaluar incidente mes njëri tjetrit. Më pas të tjera raportime kanë thënë se “Z” simbolizon forcat që kanë ardhur nga distriktet lindore të Rusisë.

Ndërkohë sipas të njëjtave raportime disa simbole të tjera me “Z” brenda një kuadrati tregonin forcat që kanë ardhur nga Krimea, e cila është aneksuar nga Rusia në vitin 2014. Ditët e fundit simboli “Z” është parë në makinat e njerëzve në Rusi, në bluza, furgonë dhe logo biznesi.

Ukraina: Rusia thyen armëpushimin, po bombardon korridorin humanitar

Ministria e Jashtme e Ukrainës thotë se forcat ruse kanë shkelur armëpushimin e përkohshëm që rënë dakord dhe po sulmojnë një korridor humanitar në qytetin e Mariupol.

Autoritetet ukrainase dhe ruse kishin rënë dakord më herët për një korridor humanitar për të lejuar civilët të largohen.

Edhe armëpushimet e armëpushimet e përkohshme të rëna dakord ditët e mëparshme patën të njëjtin fat.

Situata është e rëndë në Mariupol, me mungesë të ushqimit, ujit dhe energjisë elektrike. Presidenti ukrainas tha më herët se një fëmijë vdiq nga dehidratimi në qytet për shkak të mungesës së ujit.

Zelenskyy: Rusët po e shndërrojnë Sumy-n në ferr. Mariupol i rrethuar, pa ujë e drita

Fjalën e tij paraditen e kësaj të marte, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e nisi me 8 Marsin, duke u shprehur se normalisht është një ditë për të uruar gratë ukrainase, por tha se nuk mund ta bënte këtë, sepse vendi po është mes vuajtjes dhe dëshpërimit.

Më tej ai tha se pushtuesit kishin bombarduar sërish Sumy-n, me çdo bombë që munden dhe se po e shndërronin këtë qytet në ferr. Mariupolin, presidenti tha se Rusia e kishte rrethuar dhe se kishte hequr qëllimisht energjinë elektrike, ujin dhe furnizimin me ushqim.

“Është hera e parë, rasti i parë që një fëmijë vdes për shkak të dehidratimit”, tha ai, duke iu referuar ngjarjes së ndodhur më herët gjatë ditë së sotme.

Zelenskyy shtoi se raketat nga luftanijet, helikopterët dhe avionët po sulmojnë Ukrainën, por tha se Rusia ka humbur shumë prej tyre.

Presidenti ukrainas shprehu nervozizmin e tij me Perëndimin duke thënë se ka premtuar mbështetje nga ajri, por prej 13 ditësh tashmë kjo nuk ka ndodhur. Ai tha se përgjegjësia për sulmet është e Rusisë, por bie edhe tek ata që nuk mund të marrin një vendim për 13 ditë, “diku në perëndim, ata që nuk siguruan hapësirën tonë ajrore”.

Ukraina ka kërkuar vazhdimisht nga vendet e NATO-s që të mbyllin hapësira ajrore mbi këtë shtet, një kërkesë që është refuzuar po vazhdimisht.

Zelenskyy shtoi se korridoret humanitare nuk po funksionojnë, pasi trupat ruse vijojnë të hapin zjarr dhe njerëzit në Mariupol nuk mund të presin. “Përgjegjësit për këto veprime do të ndiqen penalisht”, tha Zelenskyy ndërsa shtoi: “Të gjithë kanë të drejtë të jetojnë dhe Ukraina po lufton pikërisht për këtë”.

Ukraina: Më shumë se 12 mijë trupa ruse të vrarë

Ukraina ka dhënë përditësimin e saj të fundit mbi humbjet ushtarake ruse. Shërbimi Shtetëror i Komunikimeve Speciale dhe Mbrojtjes së Informacionit të Ukrainës thotë se më shumë se 12,000 trupa ruse janë vrarë deri më tani.

Ndërkohë më shumë se 300 tanke dhe 1036 automjete të blinduara luftarake janë shkatërruar.

Nga ana e saj Rusia nuk dhënë shifra të tjera për humbjet në radhët e ushtrisë së saj. Hera e parë kur pranoi se kishte humbje ishte para disa ditësh. Zyrtarisht Moska tha se kishte humbur gjithsej 498 trupa.

Situatë e rënduar në Mariupol, një fëmijë vdes nga dehidratimi

Qyteti port i Mariupol në Ukrainën juglindore, aktualisht po vuan nga mungesa e ujit, ushqimit dhe energjisë. Ai është i rrethuar nga forcat ruse dhe prej ditësh nën bombardim.

Mungesat kanë çuar në humbjen tragjike të një fëmije nga dehidrimi, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Siç shkruan Sky News spitalet në qytet po përballen gjithashtu me mungesë të madhe të antibiotikëve dhe qetësuesve dhe mjekëve u duhet të kryejnë disa procedura urgjente pa to.

Forcat ruse janë fokusuar në Mariupol pasi marrja e tij do të krijonte një korridor tokësor midis Krimesë së aneksuar dhe rajoneve pro-ruse të kontrolluara nga separatistët në Donbas.

Ukraina rimerr kontrollin e një zone në Mykolayiv

Ukraina ka rimarrë kontrollin e një zone në Mykolayiv nga trupat ruse, sipas asaj që raporton guvernatori rajonal.

Disa zona të banuara në këtë qytet, që ndodhet pranë Detit të Zi në jug të Ukrainës, janë nën sulmin e forcave ruse teksa vijojnë të shtyjnë përpara me ofensivën e tyre.

21 të vrarë nga sulmi ajror i një nate më parë në Sumy

Të paktën 21 është numri i viktimave nga një sulm ajror rus i ndodhur të gjatë orëve të vona të një nate më parë në rajonin e Sumy.

Lajmi bëhet i ditur nga autoritete ukrainase që thonë po ashtu se mes viktimave ka edhe fëmijë.

Ndërkohë, aktualisht ka nisur evakuimi i civilëve nga ky rajon pasi Rusia tha se do të mbante një armëpushim të përkohshëm.

Nis evakuimi i civilëve në Sumy dhe Irpin

Ukraina nisi sot evakuimin e civilëve nga qyteti verilindor i Sumy dhe nga qyteti Irpin pranë Kievit, thanë zyrtarët ukrainas. Të dyja zonat kanë qenë nën bombardime të rënda të ushtrisë ruse.

Evakuimet filluan pasi zyrtarët rusë dhe ukrainas ranë dakord të krijonin “korridore humanitare” për të lejuar civilët të dilnin nga disa qytete dhe qytetet e rrethuara nga forcat ruse.

Mbetet për t’u parë nëse familjet do të mund të shpëtojnë nga zonat e konfliktit në pjesë të tjera të vendit, si Mariupol në jug, i cili është nën sulm prej ditësh.

Për ditë me radhë evakuimi i sigurt i civilëve ka dështuar dhe për këtë palët fajësojnë njëra-tjetrën.

Një problem kyç i ofertës ruse të korridorëve humanitarë është që ato të çojnë në Rusi ose në Bjellorusi, aleati kryesor i Kremlinit. Ukraina e ka quajtur këtë të papranueshme, duke pasur parasysh se pushtimi dhe bombardimet ruse janë arsyeja që civilët po detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.

Rusia: Kemi hapur korridore humanitare nëpër disa qytete të Ukrainës

Civilët po lejohen të ikin gjatë një armëpushimi të përkohshëm në qytetet Chernihiv, Sumy, Kharkiv, Kiev dhe Mariupol, shkruan agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes.

Ajo thotë se trupat e saj nuk po sulmojë, megjithatë të gjitha tentativat e mëparshme për armëpushim kanë dështuar.

Në Irpin, në rajonin e Kievit, një familje u vra nga bombardimet teksa po përpiqeshin të evakuoheshin.

OKB kërkon korridore të sigurta për civilët

Shefi humanitar i OKB-së, Martin Griffiths i bëri thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të sigurojnë kalim të sigurt për civilët që ikin nga luftimet dhe për dërgimin e ndihmave humanitare në zonat e luftës.

OKB dhe partnerët e saj kanë ofruar ushqim për mijëra njerëz, por bombardimet e kanë bërë të vështirë arritjen e zonave të caktuara. Deklarata vjen pasi të dyja palët ngritën akuza ndaj njëra-tjetrës për parandalimin e largimit të sigurt të civilëve.

Ambasadori i Ukrainës në OKB akuzoi Rusinë për bombardimin e korridoreve humanitare, duke bllokuar ikjen e civilëve në Europë dhe duke parandaluar dërgimin e ndihmave për shpëtimin e jetës.

Por ambasadori i Rusisë në OKB i mohoi akuzat, duke pretenduar se ishte Ukraina ajo që po mohonte kalimin e sigurt.

Griffiths u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se zyra e tij kishte dërguar një ekip në Moskë si pjesë e përpjekjeve për t’u ardhur në ndihmë civilëve në zonat e luftës.

Rusia mund ta lerë Europën pa gaz

Të hënën, Rusia paralajmëroi se mund të mbyllë tubacionin e saj kryesor të gazit në Gjermani nëse Perëndimi vazhdon dhe ndalon naftën ruse.

Zëvendëskryeministri Alexander Novak tha se një veprim i tillë do të çonte në “pasoja katastrofike” për furnizimin global dhe do të çonte në dyfishimin e çmimit të naftës në 300 dollarë për fuçi.

SHBA e hodhi idenë e një ndalimi të mundshëm si një mënyrë për të ndëshkuar Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë. Por Gjermania dhe Holanda e hodhën poshtë këtë propozim të hënën.

BE merr rreth 40% të gazit dhe 30% të naftës së saj nga Rusia.

Novok tha se Rusia ka çdo të drejtë të hakmerret dhe vuri në dukje vendimin e Gjermanisë muajin e kaluar për të bllokuar certifikimin për gazsjellësin e dytë Nord Stream midis dy vendeve.

REDAKSIA TVKLAN.AL