Aleatët europianë të NATO-s janë në alarm pas dyshimeve të ngritura nga mediat gjermane se Rusia mund të dërgojë në hapësirë një satelit me armë bërthamore.
Dyshimet bazohen te raportet e shërbimeve sekrete ushtarake gjermane, sipas të cilave sateliti është gati pranë Moskës dhe mund të lëshohet brenda pak javësh.
Një shpërthim i tij në orbitë rrezikon të shkatërrojë satelitët e komunikimit dhe të paralizojë rrjetet elektrike në Europë e te aleatët.
Në një konferencë të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në Berlin, kancelari gjerman Friedrich Merz i quajti këto plane shokuese.
Ai i kërkoi Rusisë të ndalë menjëherë provokimet, duke garantuar se Aleanca do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të saj.
Nga ana tjetër, Moska i mohoi akuzat dhe i cilësoi raportimet si propagandë të pabazuar.
Këto zhvillime vijnë ndërsa lufta në Ukrainë ka rritur ndjeshëm tensionet mes NATO-s dhe Rusisë.
Megjithatë, një sondazh i fundit tregon se shumica e gjermanëve tashmë janë kundër mbështetjes ushtarake për këtë luftë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
