Rusia ka mohuar të ketë ndarë informacione për asetet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme me Iranin, njoftoi të martën emisari i veçantë i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff.

Në një intervistë për CNBC, Witkoff tha se ky mohim u dha gjatë një bisede telefonike që Trump pati të hënën me presidentin rus Vladimir Putin, si dhe gjatë një bisede tjetër të zhvilluar më herët atë ditë me këshilltarin e tij Jared Kushner dhe zyrtarin rus për politikën e jashtme, Yuri Ushakov.

Trump nuk dha detaje mbi bisedën me Putinin, duke thënë vetëm se ishte “shumë e mirë” dhe se presidenti rus “dëshiron të jetë i dobishëm për Iranin”. Nga ana ruse, Ushakov e përshkroi bisedën si “të hapur”.

Kjo deklaratë vjen pas raportimeve të së premtes, sipas të cilave Moska po i siguronte Teheranit informacion për objektivat, duke përfshirë lëvizjet dhe pozicionet e anijeve dhe avionëve amerikanë në rajon.

“Gjatë bisedës së djeshme, rusët thanë se nuk kanë ndarë informacion,” tha Witkoff kur u pyet nëse SHBA beson se Moska ka ndarë të dhëna me Teheranin.

Ai shtoi: “Ne mund t’i marrim fjalët e tyre për të mirë. Por ata e thanë këtë. Po ashtu, dje në mëngjes, unë dhe Jared patëm një bisedë me Ushakov, i cili e përsëriti të njëjtën gjë.”

Emisari i veçantë i Trump vuri në dukje se pyetje më të hollësishme duhet të bëhen te shërbimet e inteligjencës, duke shtuar: “Shpresojmë që ata nuk po ndajnë informacion.”

/tvklan.al