Vladimir Putin jo pa qëllim zgjodhi 9 majin për të vizituar Sevastopolin në gadishullin e Krimesë. Në përkujtim të 69-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe Fitores mbi nazizmin, dhe të 70-vjetorit të çlirimit të qytetit, presidenti i Rusisë simbolikisht përmbylli procesin e aneksimit të këtij territori, që deri një muaj më parë ishte pjesë e Ukrainës.
Vladimir Putin: “Jam i bindur se 2014 do të hyjë në kronikat e historisë, në analet e të gjithë historisë sonë, si viti kur popujt që jetojnë këtu, me bindje të plotë vendosën të jetojnë sëbashku me Rusinë. Me këtë vendim, riafirmuan besnikërinë ndaj të drejtës historike dhe kujtimit të të parëve tanë”.
Kancelarja gjermane Angela Merkel e cilësoi pjesëmarrjen e Putin në këtë ceremoni si një veprim mjeran, ndërkohë që edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Anders Fog Rasmusen tha se aneksi i Krimesë nuk është akt legjitim.
Më herët gjatë ditës, në Moskë është zhvilluar parada e përvitshme e Fitores në Sheshin e Kuq. Në fjalën e tij presidenti Putin nuk e përmendi situatën në Ukrainë, edhe pse ai është kritikuar ashpër kohët e fundit se po vë në zbatim një ideologji fashiste. Por fjalimi i tij kishte një simbolikë të fortë.
Vladimir Putin: “Kjo është një ditë e shënuar, kur përkujtojmë forcën e patriotizmit, kur secili prej nesh ka ndjenja të forta për domethënien e të qenit besnik ndaj atdheut dhe se sa e rëndësishme është të mbrosh interesat e tij. Ishte vendi ynë që i shporri nazistët dhe ia doli t’i shkatërronte ata plotësisht. Gjithmonë do ta mbrojmë këtë të vërtetë të shenjtë e të pa venitshme dhe nuk do të lejojmë askënd të harrojë apo të tradhëtojë heronjtë, ata të cilët nuk kursyen as veten për paqen në planetin tonë”.
Kjo ishte një ceremoni me pjesëmarrjen e mbi 11 mijë ushtarakëve dhe disa qindra mjeteve, si tokësore ashtu edhe ajrore, që shfaqën fuqinë ushtarake ruse. Parada u zhvillua në një kohë që në vend janë rritur ndjenjat nacionaliste, pas aneksimit të Krimesë.
Ceremoni të ngjashme përkujtimore janë zhvilluar edhe në rajonet filo-ruse në lindje të Ukrainës, ndërsa edhe udhëheqja e re në Kiev mori pjesë në përkujtimin e 9 majit.
Më në jug të vendit, në Mariupol sipas burimeve zyrtare të paktën 20 filoruse dhe 1 ushtarak ukraians janë vrarë gjatë luftimeve të ashpra mes tyre. Beteja u përqëndruar te godina e degës lokale të policisë, e cila më pas u dogj tërësisht.
Tv Klan












Botërori 2026 