Moska po shton presionin mbi qytetin strategjik Pokrovsk dhe ka dërguar 200 trupa shtesë për të mbyllur rrethimin e qytetit kyç të Donbasit deri në mes të nëntorit, sipas raportimeve të Financial Times.

Vetë Kievi ka pranuar se trupat ruse janë numerikisht shumë më të mëdha se ato ukrainase, me një raport prej tetë me një. Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se forcat ruse “nuk kanë arritur rezultatin e parashikuar” dhe ka theksuar se Kremlini po përpiqet të bindë Shtëpinë e Bardhë se mund të pushtojë të gjithë rajonin e Donbasit.

Pas marrjes së Avdiivka-ës në shkurt 2024, që ndodhet rreth 40 kilometra në juglindje të Pokrovsk-ut, trupat ruse kanë avancuar gradualisht drejt qytetit, dikur një nyje logjistike e rëndësishme për Ukrainën, dhe e kanë rrethuar që nga gushti i vitit 2024. Sipas grupit ukrainas të monitorimit DeepState, forcat ruse e kanë rrethuar Pokrovskun nga tre anë, duke lënë një korridor prej rreth 15 kilometrash për ushtrinë ukrainase për të futur trupa dhe furnizime.

Situata është përkeqësuar që nga korriku, kur rusët arritën të depërtojnë në qytet me skuadra të vogla infiltrimi, të cilat megjithatë nuk kanë arritur të mbajnë kontroll të qëndrueshëm.

Zelensky, ndonëse pranon vështirësinë e situatës, mohon pretendimin për rrethim të plotë, pas deklaratës së shefit të shtabit rus Valery Gerasimov të dielën, i cili tha se rreth 5 mijë e 500 ushtarë ukrainas pranë Pokrovsk-ut ishin tërësisht të rrethuar, pa ofruar prova. Ndërkohë, vetë blogerët rusë kanë akuzuar Gerasimov-in se po gënjen Putin-in, i cili sot përmendi Kupiansk-un dhe Pokrovsk-un, duke thënë se “armiku është i bllokuar dhe i rrethuar” në këto dy qytete.

Në ditët e fundit, edhe shefi i shtabit ukrainas Oleksander Syrskiy ka shprehur shqetësimin se komandantët e tij po i fshehin informacione jetike, duke reflektuar nervozizmin në rritje edhe në anën ukrainase.

Megjithëse gjatë verës trupat ukrainase arritën të zmbrapsin një ofensivë ruse në drejtimin e Doprobillia-s, ku forcat ruse kanë depërtuar sërish. Dronët FPV të Moskës kontrollojnë pothuajse të gjitha rrugët logjistike drejt Pokrovskut dhe Myrnohradit. “Nëse bie Pokrovsk-u, garnizoni i Myrnohrad-it nuk do të ketë rrugë daljeje,” konfirmojnë burime ushtarake për gazetën Corriere Della Sera. Ata shtojnë: “Linja jonë e furnizimit për Myrnohrad-in është mbi 20 km e gjatë. Rotacionet janë pothuajse të pamundura. Nuk mund të evakuojmë të rënët.” Me fjalë të tjera, rënia e Pokrovsk-ut mund të jetë e afërt.

Humbja e Pokrovsk-ut do të nënkuptonte për Kievin humbjen e një pjese të madhe të rajonit të Donetskut. Për Moskën, kjo do të hapte rrugën drejt rajonit të Dnipropetrovskut dhe do t’i jepte avantazh në tryezën e negociatave.

Shkrim nga Corriere Della Sera

/tvklan.al