Sa i vështirë do të jetë ky vit dhe se çfarë do të sjellë ai janë pyetjet mëse normale për javën e parë të vitit të ri. Një sondazh i kryer nga Gallup International, njëherazi në 53 shtete, ku banojnë afro 76% e popullsisë së botës, shënjon faktin që 42% e qytetarëve të botës janë optimistë se ky do të jetë një vit më i mirë, ndërsa 19% mendojnë të kundërtën, që do të jetë një vit më i keq se ai që shkoi.

Qytetarët më optimistë janë ata të Zvicrës dhe Suedisë, ndërkohë që Kosova ka përqindjen më të lartë të optimizmit në rajon, me 55%. Sondazhi nuk është shtrirë në Shqipëri, por duket se përgjithësisht në të gjithë sondazhet e fundit shqiptarët shprehen optimistë për të ardhmen. Nuk mungojnë as kritikat e forta për mënyrën sesi po shkon vendi dhe më gjerë.

Por a janë shqiptarët një popull optimist? Nga se përligjet ky optimizëm dhe si e shpjegojnë komentatorët këtë?

Nuk ka asnjë lloj dyshimi që dy dekadat e fundit kanë sjellë transformime tejet të rëndësishme për shqiptarët. Në vitin 1991 Shqipëria la pas diktaturën komuniste dhe izolimin gjysmë shekullor. Në vitin 1999 Kosova u shkëput nga Serbia dhe në vitin 2008 shpalli pavarësinë. Që nga viti 2001 shqiptarët kanë një tjetër status në Maqedoni. Të treja shoqëritë janë në rrugën drejt integrimit europian, por po ashtu të treja përballen me probleme madhore, shpesh që mbajnë vulën tipike “Made in Albania”.

Ndërkohë që ekonomia duket se nuk është prekur thellë nga kriza botërore, siç po ndodh me fqinjët tanë grekë. Situata politike në Shqipëri dhe Kosovë ka patur probleme. Në Shqipëri vijon konflikti politik, ndërsa në Kosovë zgjedhjet prodhuan jo pak probleme. I përçarë mbetet faktori politik shqiptar edhe në Maqedoni.

Veç kësaj, shqiptarët duhet të përballen me një akuzë të fortë publike siç është ajo që vjen nga raporti I Dick Marty-t, e cila ka krijuar një imazh problematic nëbotë. Por edhe me një lajm pozitiv, siç është vendosja e Shqipërisë nga CNN si vendi më I mrekullueshëm për t’u vizituar në botë gjatë vitit 2011.  

Por si do t’i përballin shqiptarët këto sfida dhe si do të jetë përqasja e tyre? Për të diskutuar mbi këtë çështje, në studion e emisionit “Opinion” ishin të ftuar nënkryetarja e Aleancës për Kosovën e Re Mimoza Kusari, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi, kryetari i Unionit Demokratik i Shqiptarëve në Malin e Zi Ferhat Dinosha, Ministri i Bujqësisë Genc Ruli, deputeti Blendi Klosi, deputeti Mark Marku, politikani Preç Zogaj dhe skrimtari Fatos Lubonja./tvklan.al