Sabah Kerjota jep sinjale të forta në Skoci dhe i kujton trajnerit të Kombëtares, Rolando Maran, se mbetet një alternativë për të ardhmen. Pasi u grumbullua në tetor me kuqezinjtë për Ligën e Kombeve, por nuk mori asnjë minutë në katër ndeshje, Kerjota nuk u përfshi në listën e nëntorit.

Megjithatë, përgjigjja e tij erdhi në fushën e lojës. Në transfertën ndaj Dundee, në një fitore spektakolare 8-0 të Hearts, sulmuesi shqiptar ishte protagonist absolut. Kerjota zhbllokoi sfidën në minutën e 23-të për ekipin e tij. Anësori shënoi golin e dytë personal në minutën e 81-të. Në të 89-ën dhuroi edhe një asist. Pas ndeshjes, ai mori çmimin si lojtari i ndeshjes dhe tha se goli për një sulmues është shumë i rëndësishëm.

“Për një sulmues, është gjithmonë mirë kur shënon, por unë preferoj edhe të jap asiste. Gjithashtu, jam shumë i lumtur që skuadra mori një fitore të tillë”, pohoi Kerjota.

Një paraqitje që tregon se Kerjota mbetet në garë për një vend në Kombëtare. Tashmë, është në dorën e tij të vazhdojë të bindë në fushë dhe t’i japë Maranit arsye për ta rikthyer në planet kuqezi.

Tv Klan

/tvklan.al