Armando Sadiku do të luajë në sezonin e ardhshëm te skuadra e Belinzonës në Zvicër. Klubi helvet luan në kategorinë e dytë, ndërsa sulmuesi shqiptar do të kontribuojë me eksperiencën e tij për ta ngjitur në elitën e futbollit.

Lojtari 34-vjeçar u përfol se ishte në diskutime edhe me Elbasanin, por në fund zgjodhi që të pranonte ofertën jashtë Shqipërisë.

“Bellinzona është krenare të mirëpresë një bomber autentik të nivelit ndërkombëtar: Armando Sadiku!”, thuhet në njoftimin e klubit që vlerësoi eksperiencën ndërkombëtare të sulmuesit shqiptar.

34-vjeçari dallohet për karrierën prestigjioze, ndërsa ka veshur më herët fanellat e klubeve zvicerane të Zürich, Lugano, pastaj të Legia Varshavës dhe Levantes.

Gjithashtu ka edhe 38 ndeshje me kombëtaren shqiptare të futbollit, ku ka shënuar edhe 12 gola. Sadiku realizoi golin e vetëm në fazën e grupeve të Euro 2016, kundër Rumanisë, duke bërë historinë në futbollin shqiptar.

Klan News

/tvklan.al