Pak kohë përpara se kryeministri grek, Antonis Samaras, të udhëtojë për në Berlin dhe Paris në përpjekje për të zgjatur afatin e shlyerjes së kredisë financiare, për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë greke kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, François Hollande, duket se janë në të njëjtën linjë mendimi.

Ashtu si kreu i Eurogrupit, Jean-Claude Juncker, dy liderët e shteteve më të fuqishme të Eurozonës, gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Berlin, janë shprehur qartë se qeveria greke duhet të vazhdojë me zbatimin e reformave të marrë përsipër. Hapat e mëtejshëm për menaxhimin e krizës, do të ndërmerren në varësi të raportit të Trojkës.

Angela Merkel: “Është e rëndësishme të them se të gjithë ne duhet t’u qëndrojnë angazhimeve tona. Mbi të gjitha duhet të presim konkluzionet e raportit të Trojkës. Unë do të doja të inkurajoja Greqinë për të vazhduar në rrugën e reformave.”

François Hollande: “Ne duam që Greqia të qëndrojë në Eurozonë. Këtë e kemi theksuar që prej fillimit të krizës. I takon grekëve të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të arritur objektivat.”

Qëllimi kryesor i takimit të sotëm mes dy liderëve, të cilët më parë kanë qenë të ndarë mbi mënyrën e zgjidhjes së krizës së Eurozonës, ishte bashkërendimi i ideve lidhur me takimin e parashikuar për në fundjavë me kryeministrin grek, Samaras.

Një tjetër pikë për të cilën dy liderët duket se janë në të njëjtën mendje është edhe mbikëqyrja bankare evropiane./tvklan.al

/tvklan.al