Përshtatur në shqip, artikull i The Guardian
Samiti i BRICS-it i mbajtur në Brazil javën e kaluar tregoi një aleancë të lirshme fuqish në zhvillim, që po bëhet më komplekse, dhe ndoshta më me peshë. Për BRICS-in rëndësia qëndron në përmasë.
Megjithatë, kjo madhësi fsheh kontradiktat e saj. Tani numëron 11 shtete anëtare, përfshirë Indonezinë, e cila u bashkua këtë vit, që përfaqësojnë gjysmën e popullsisë së botës dhe 40% të ekonomisë globale, duke tejkaluar G7-ën me 20 trilionë dollarë.
Thirrja e grupit për institucione globale më gjithëpërfshirëse tingëllon e mirëpritur, por brenda vetë radhëve të tij mbizotërojnë autokracitë. BRICS ka të drejtë kur kërkon që ligji ndërkombëtar të respektohet në konfliktet e Lindjes së Mesme. Por bie nga piedestali moral kur dënon sulmet e Ukrainës ndaj infrastrukturës ruse, ndërsa hesht përballë sulmeve të pamëshirshme të Moskës ndaj civilëve.
Akronimi “BRIC”, Brazil, Rusi, Indi dhe Kinë (Afrika e Jugut iu bashkua në vitin 2010), fillimisht ishte një bast i Ëall Street-it për fuqitë në ngritje që do të sfidonin Perëndimin. Por ajo që e përkufizon BRICS-in sot është një ambicie më e hollë dhe më strategjike: të mbrojnë veten nga tërheqja gravitacionale e Uashingtonit, ndërsa bashkëpunojnë për të ndërtuar një bazë të përbashkët industriale të teknologjisë së lartë.
Ka gjëra që BRICS-i i bën mirë. Institucionet financiare globale si Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë nevojë për reformë; bota e pasur nuk ka përmbushur premtimet për financimin e klimës. Reagimi i kuptueshëm i grupit përballë këtij mosveprimi është krijimi i bankës së vet të zhvillimit për të promovuar një formë të industrializimit të gjelbër.
Një marrëveshje e arritur para samitit për një qëndrim të përbashkët të BRICS-it mbi financimin e veprimeve për klimën do të ndihmojë. Rritja e shpejtë e energjisë së rinovueshme do të thotë se karburantet fosile tani përbëjnë më pak se gjysmën e prodhimit total të energjisë elektrike të bllokut. Duke pasur parasysh emergjencën klimatike, një përparim i tillë është i mirëpritur. Vendet anëtare të BRICS-it tani janë lidere në teknologjitë e gjelbra dhe krenohen me tregje në lulëzim të konsumit, duke ofruar si mjetet ashtu edhe shkallën për të nxitur rritjen industriale.
Rendi botëror i pasluftës mbështetej mbi tre shtylla: dominimi amerikan, hidrokarburet dhe tregtia e hapur. Sot, të treja janë duke rënë, kryesisht për shkak të vetë SHBA-ve. Shumë vende të BRICS-it kanë pak për të fituar nga mbështetja ndaj naftës kur prodhuesi më i madh në botë është Amerika. Kërcënimi i Donald Trump-it për rritje tarifash ndaj anëtarëve të bllokut flet për kthimin e SHBA-ve kundër tregtisë globale. Duke vendosur tarifa mbi Brazilin për shkak të politikës së brendshme të tij, Trump e kthen diplomacinë ekonomike në hakmarrje personale dhe thekson sesi rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla po shpërbëhet.
Kjo është një kohë që paraqet si sfida, ashtu edhe mundësi. Kur përballen me tarifa në Perëndim, kompanitë kineze orientohen drejt BRICS-it. Emiratet e Bashkuara Arabe përfitojnë duke siguruar prodhim vendas dhe transferime teknologjie nga Pekini që Perëndimi nuk i lejon. Vizioni i BRICS-it për rritje inteligjente dhe të pastër i përgjigjet boshllëqeve në rendin global. Por grupi nuk është i bashkuar: potenciali i gjelbër i Rusisë është i bllokuar nga politikat e veta për karburantet fosile. Arabia Saudite lëviz me kujdes, duke flirtuar me BRICS-in, por e varur nga SHBA, me marrëveshje që varen në ekuilibër. Shumica e shteteve anëtare të grupit janë të shqetësuara nga mundësia që Kina mund të dominojë mbi të tjerat. Megjithatë, në mënyrë domethënëse, udhëheqësi i saj, Xi Jinping, nuk mori pjesë në këtë samit.
Sërish, vendet e BRICS-it mund të rreshtohen më ngushtë. Veprimi i tyre më teknik, por më domethënës, është ndërtimi i “infrastrukturës” financiare për të anashkaluar sistemet perëndimore. Grupi nuk po e braktis dollarin, por anëtarët e tij e dinë se çfarë do të thotë të përjashtohesh: Indisë iu mohua kredia pas krizës së vitit 2008; bankat iraniane janë sanksionuar që nga viti 2012. Suksesi i këtij blloku do të varet jo vetëm nga ambicia, por edhe nga aftësia për të bashkërenduar interesat kombëtare./tvklan.al
/tvklan.al












Botërori 2026 
