11 nëntor 2026- Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar pas artikullit të publikuar nga media “POLITICO” lidhur me organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, duke pretenduar se deklarata e tij është interpretuar jashtë kontekstit.

Në një sqarim publik, Nufi thekson se Shqipëria nuk ka propozuar as shtyrjen dhe as zhvillimin në format virtual të Samitit, por po vijon përgatitjet për ta mirëpritur atë në Tiranë, në përputhje me vendimin e marrë nga Aleanca.

Ministri shpjegon se referenca e tij për një takim virtual lidhej vetëm me procesin e përcaktimit të datës së Samitit dhe jo me mënyrën se si do të zhvillohet vetë aktiviteti.

Sipas tij, data është në kompetencën e liderëve të vendeve aleate, të cilët mund ta diskutojnë dhe ta vendosin atë edhe përmes një takimi virtual, pa qenë e nevojshme të mblidhen fizikisht.

Nufi shton se data do të bëhet publike pasi të përcaktohet nga Aleanca dhe të komunikohet zyrtarisht nga NATO.

Ai përfundon reagimin duke nënvizuar se çdo interpretim tjetër i deklaratës së tij nuk pasqyron as atë që ka thënë dhe as qëndrimin zyrtar të Republikës së Shqipërisë.

Reagimi i plotë:

Lidhur me artikullin e publikuar sot nga POLITICO, dëshiroj të sqaroj se deklarata ime është interpretuar jashtë kontekstit, duke krijuar një përshtypje të gabuar mbi qëndrimin e Shqipërisë për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë.

Samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë, në përputhje me vendimin e marrë nga Aleanca. Shqipëria ka nisur tashmë përgatitjet për organizimin dhe mikpritjen e tij.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarit lidhur me datën e zhvillimit të Samitit, kam sqaruar se përcaktimi i saj është kompetencë e liderëve të vendeve aleate, të cilët mund ta diskutojnë dhe vendosin atë edhe përmes një takimi virtual, pa qenë e nevojshme të mblidhen fizikisht për këtë qëllim.

Referenca ime ndaj një takimi virtual lidhej ekskluzivisht me procesin e vendimmarrjes për datën dhe në asnjë mënyrë me zhvillimin virtual të vetë Samitit.

Pasi data të përcaktohet nga Aleanca dhe të komunikohet zyrtarisht nga NATO, ajo do të bëhet publike.

Dua të jem plotësisht i qartë: Shqipëria nuk ka propozuar as shtyrjen, as zhvillimin virtual të Samitit të NATO-s. Ne jemi duke u përgatitur për ta mirëpritur atë në Tiranë, ashtu siç është vendosur nga aleatët.

Çdo interpretim tjetër i deklaratës sime nuk pasqyron atë që kam thënë dhe as qëndrimin zyrtar të Republikës së Shqipërisë.

/tvklan.al