Kufizime të trafikut në shumë nga rrugët e kryeqytetit nga ora 07:00 e deri në mbrëmje
Tirana do të jetë sërish më 28 dhe 29 shkurt qendër e zhvillimeve ndërkombëtare, teksa do të presë samitin Ukrainë-Europa Juglindore dhe atë të liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Samiti për Ukrainën do të sjellë për herë të parë në Shqipëri presidentin ukrainas, Volodimir Zelensky i cili pritet të mbërrijë në Tiranë mbrëmjen e kësaj të marte. Për të garantuar sigurinë policia ka marrë masa për bllokimin e disa rrugëve kryesore.
Ditën e Martë,më 27 shkurt, bllokimet e rrugëve do të jenë me afat të shkurtër kohor në rrugëkalimin e delegacioneve që vijnë nga aeroporti “Nënë Tereza” dhe pikat e tjera të kalimit kufitar në drejtim të Tiranës, në varësi të kohës së lëvizjes së tyre.
Ndërsa të mërkurën më 28 Shkurt, nga ora 07:00 deri në largimin e delegacioneve pjesëmarrëse në aktivitetet e organizuara për Samitin, do të ketë ndalim pushimi dhe qëndrimi në aeroporti “Nënë Tereza”, rruga e Rinasit – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e madhe perëndimore, Rruga e Elbasanit, rrugët lidhëse me zonën e stadiumit kombëtar dhe pallatin e kongreseve, si dhe rruga “Papa Gjon Pali II” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit.
Në ditën e dytë, në datë 29 shkurt, për samitin e liderëve të ballkanit perëndimor do të ketë sërish bllokim të rrugëve nga ora 12:00 deri në orën 14:00. Do të ndalohet qarkullimi në Rrugën e Elbasanit, Unaza e madhe perëndimore – ish-sheshi “Shqiponja” – Qafë Kashar – Rinas-aeroporti “Nënë Tereza”.
Gjithashtu policia njofton se do të ketë ndalim të qarkullimit të mjeteve në rrugët që përfshihen në perimetrin e sigurisë së aktiviteteve dhe takimeve të pjesëmarrësve në Samit. Ky vendim do të jetë në fuqi nga ora 08:00 e datës 28 Shkurt deri në orën 16:00 të datës 29 Shkurt. Pra bëhet fjalë për Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e ish-hotel Dajtit deri tek sheshi “Nënë Tereza” si dhe sheshi “Italia” por edhe rruga nga kryqëzimi i Librit Universitar deri tek Presidenca si dhe nga rruga e Elbasanit deri tek rruga “Papa Gjon Pali II”.
Për qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, ditën e mërkurë dhe të enjte, pra në datat 28 dhe 29 shkurt, gjatë fashës orare të bllokimit të rrugëve, duhet të të ndjekin përkatësisht drejtimin: Vorë – Fushë Prezë – Rinas; Fushë Krujë – Valias – Rinas; ndërsa për qytetarët që vinën nga Juglindja dhe Tirana, do të ndjekin Unazën lindore – Farmacia 10 – Stacioni i Trenit – Bulevardi i Ri – Paskuqan – Kamëz – Valias – aeroporti “Nënë Tereza” dhe kthim në të njëjtin itenerar.
Për zbatimin e këtyre masave janë angazhuar Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat Speciale RENEA, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Drejtoria e Policisë Rrugore.
Klan News