13 nëntor 2026 – Në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 29 nëntorit, kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sánchez, ka publikuar një artikull të gjatë në revistën prestigjioze Foreign Affairs, ku paraqet vizionin e tij për një rend të ri ndërkombëtar dhe një reformë të thellë të Kombeve të Bashkuara.
Por, ndërsa ai artikulon ambiciet e tij për politikën globale, sondazhet në Spanjë tregojnë një rënie të ndjeshme të Partisë Socialiste (PSOE), duke vënë në pikëpyetje vazhdimin e tij në krye të qeverisë.
Artikullin, të titulluar “Shansi i fundit i botës për paqe”, Sánchez e nis me paralajmërimin se gjatë dekadës së fundit bota ka filluar ta trajtojë luftën si diçka të pashmangshme. Sipas tij, normalizimi i konflikteve të armatosura është një nga rreziqet më të mëdha për rendin ndërkombëtar, pasi kërcënon të rikthejë një realitet që njerëzimi është përpjekur ta kapërcejë pas dy luftërave botërore.
Si pikë kthese, kryeministri spanjoll identifikon vitin 2003 dhe pushtimin e Irakut të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, që prej asaj kohe, përpjekjet diplomatike për ruajtjen e paqes kanë humbur rëndësinë, ndërsa konkurrenca gjeopolitike dhe interesat e fuqive të mëdha kanë marrë përparësi.
Sánchez paralajmëron gjithashtu se bota po afrohet drejt një tjetër lufte botërore.
Shqetësim të veçantë shpreh për rikthimin e kërcënimit bërthamor dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në luftëra, e cila mund të mundësojë sulme gjithnjë e më të rrezikshme ndaj infrastrukturës kritike, si rrjetet elektrike, spitalet dhe sistemet financiare. Sipas tij, teknologjia ushtarake po zhvillohet shumë më shpejt sesa mekanizmat diplomatikë që duhet ta kontrollojnë atë.
Duke iu referuar konflikteve aktuale, ai përmend luftën e Rusisë në Ukrainë, sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, si dhe përplasjet në Liban, Sudan dhe Jemen. Sánchez vëren se numri i konflikteve të armatosura është sot në nivelin më të lartë që prej vitit 1946.
Çfarë propozon Sánchez për të shmangur një luftë të re?
Në qendër të propozimit të tij është një model i ri bashkëpunimi ndërkombëtar, të cilin e quan “maxilateralizëm”. Ideja është që vendimet globale të mos mbeten në duart e një numri të vogël fuqish, por të përfshijnë sa më shumë vende dhe aktorë ndërkombëtarë.
Pjesë kryesore e këtij vizioni është reforma e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sánchez kërkon rritjen e numrit të anëtarëve, zgjatjen e mandateve të anëtarëve të zgjedhur dhe një përfaqësim më të drejtë për Afrikën, Amerikën Latine dhe Bashkimin Europian.
Ai kundërshton gjithashtu sistemin aktual, ku pesë fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore, SHBA-të, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe, kanë vende të përhershme dhe të drejtën e vetos. Sipas tij, ky mekanizëm nuk pasqyron më realitetin e sotëm, pasi këto pesë vende përfaqësojnë së bashku vetëm një të katërtën e popullsisë së botës.
Për këtë arsye, ai propozon kufizimin e së drejtës së vetos, veçanërisht kur Këshilli i Sigurimit shqyrton raste të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës. Synimi është që asnjë shtet i vetëm të mos mund të bllokojë vendimet përballë krimeve të rënda.
Sánchez kërkon gjithashtu ndryshimin e mënyrës së drejtimit të institucioneve financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, duke kundërshtuar praktikën e pashkruar që në krye të tyre të jenë përkatësisht një evropian dhe një amerikan.
Qëndrimi i Spanjës ndaj konflikteve
Për të mbështetur vizionin e tij, Sánchez rendit edhe vendimet e qeverisë spanjolle në politikën e jashtme: njohjen e shtetit palestinez, kritikat ndaj Izraelit për veprimet në Gaza, sanksionet ndaj Rusisë, ndihmën për Ukrainën, embargon e armëve ndaj Izraelit dhe refuzimin për të lejuar përdorimin e bazave amerikane në territorin spanjoll për sulmet ndaj Iranit.
Ai ka kundërshtuar gjithashtu kërkesën për rritjen e shpenzimeve ushtarake në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, objektiv i kërkuar nga NATO.
Në përfundim, Sánchez argumenton se paqja nuk mund të sigurohet vetëm përmes diplomacisë dhe marrëveshjeve mes shteteve. Ajo kërkon edhe trajtimin e shkaqeve të pasigurisë, si varfëria, mungesa e arsimit dhe problemet në sistemet shëndetësore. Sipas tij, nëse bota ka nevojë për një luftë, ajo duhet të jetë kundër këtyre problemeve, jo mes shteteve.
Sondazhet: socialistët në rënie, e djathta drejt shumicës
Por ndërsa Sánchez paraqet ambiciet e tij për një rol më të madh në politikën ndërkombëtare, situata në skenën e brendshme spanjolle duket shumë më e vështirë.
Sondazhet e publikuara në prag të zgjedhjeve të 29 nëntorit tregojnë një rënie të PSOE-së dhe një avantazh të qartë të së djathtës, të përfaqësuar nga Partia Popullore (PP) dhe Vox.
Sipas sondazhit të publikuar nga El Mundo, Partia Popullore kryeson me 30.8% të votave, që përkthehet në 126 deri në 132 deputetë. PSOE-ja zbret në 25.3%, me një parashikim prej 103 deri në 108 mandatesh, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Vox ngjitet në 19.6%, duke siguruar 63 deri në 70 vende në parlament.
Së bashku, PP dhe Vox mund të arrijnë në 189 deri në 202 deputetë, duke kaluar ndjeshëm pragun prej 176 mandatesh që nevojiten për shumicën absolute.
Edhe sondazhi i El País dhe Cadena SER konfirmon këtë prirje, duke parashikuar 190 mandate për dy partitë e djathta. Sipas të njëjtit sondazh, Vox mund të marrë mbi 1.5 milionë vota nga elektorati i PP-së dhe të afrohet në nivelin e 19% të mbështetjes.
Ndërkohë, PP-ja mund të tërheqë mbi gjysmë milioni votues nga socialistët, por sërish të humbasë terren krahasuar me zgjedhjet e vitit 2023, duke zbritur në 31.5% dhe duke humbur rreth 11 mandate.
Kështu, artikulli i Sánchez në Foreign Affairs vjen në një moment vendimtar për të ardhmen e tij politike: nga njëra anë, ai përpiqet të pozicionohet si një nga zërat kryesorë për reformimin e rendit ndërkombëtar dhe forcimin e diplomacisë globale; nga ana tjetër, në vendin e tij, sondazhet tregojnë se pushteti i socialistëve është nën presion të fortë dhe se e djathta mund të sigurojë shumicën parlamentare.
Artikulli i mësipërm është përshtatur në shqip nga Corriere della Sera
/tvklan.al












Botërori 2026 
