Zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare, por edhe përgatitja e infrastrukturës rregullative për rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike ishin në fokus të takimit të Guvernatorit Gent Sejko me përfaqësues të lartë të BERZH.

Sejko u shpreh se ekonomia pritet të vijojë rritjen edhe falë politikave të ndjekura nga Banka Qendrore.

“Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet me ritme solide edhe gjatë periudhës në vijim. Politika monetare e kujdesshme dhe konsistente e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, duke krijuar kushte financiare të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë. Gjithashtu, raporti i kredive me probleme, në nivelin 3.7%, përfaqëson nivelin më të ulët historik që nga viti 2008”.

Ndërsa përfaqësuesit e BERZH shprehën vlerësimin për bashkëpunimin e ngushtë me Bankën e Shqipërisë dhe për rezultatet e arritura në kuadër të projekteve të përbashkëta, ku riafirmuan gatishmërinë e tyre për ta zgjeruar më tej këtë bashkëpunim në fusha të tjera me interes të përbashkët.

Klan News

/tvklan.al