23 shtator 2026- Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje, që mbështetja ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete mes izraelitëve dhe palestinezëve të shoqërohet me hapa konkretë.
Sipas tij, zhvillimet në terren po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë krijimin e një shteti palestinez të pavarur dhe të qëndrueshëm.
Duke folur në një takim të nivelit të lartë në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Guterres paralajmëroi se zgjerimi i vendbanimeve izraelite dhe politikat në Bregun Perëndimor të pushtuar po dëmtojnë perspektivën e një zgjidhjeje politike.
Ai veçoi edhe projektet e planifikuara në zonën E1, duke paralajmëruar se realizimi i tyre mund të dëmtojë rëndë vazhdimësinë territoriale të një shteti të ardhshëm palestinez.
Guterres theksoi se një paqe e qëndrueshme duhet të bazohet në ekzistencën e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës, brenda kufijve të përcaktuar mbi bazën e linjave të vitit 1967, me Kudsin si kryeqytet të të dyja palëve.
Në të njëjtin takim, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se pavarësisht mbështetjes së gjerë ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete, përparimi konkret ka mbetur i kufizuar.
Ai kërkoi zbatimin e menjëhershëm të planit ndërkombëtar për Gazën dhe veprime të përbashkëta për të ruajtur perspektivën e krijimit të një shteti palestinez sovran, që bashkëjeton në mënyrë paqësore me Izraelin.
/tvklan.al












Botërori 2026 