Shqipëria mbetet një vend i veçantë në kujdesin që Selia e Shenjtë e Vatikanit i kushton vendit tonë. Ka qenë ky mesazhi që Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Eminenca e tij, Kardinali Pietro Paroli dha për shqiptarët, në një vizitë të shkurtër në vendin tonë.

“Është një kënaqësi për mua të jem në tokën e nderuar të heronjve, që kanë sakrifikuar jetën për pavarësinë e vendit, në tokën e martirëve që kanë dëshmuar besnikërinë e tyre në kohen e vështirë të persekutimit. Në këto fjalë të mia padyshim ju kujtoni fjalët e Papa Françeskut, në vizitën e tij në Shtator 2014. Shqipëria ka një vend të veçantë në zemrën e Papa Françeskut, i cili më ka deleguar të sigurohem për përcjelljen e lutjeve të tij”.

Ndërsa vlerësoi marrëdhëniet miqësore të hershme mes shqiptarëve dhe Selisë së Shenjtë, kreu i shtetit, Ilir Meta tha se mesazhet e Papa Françeskut mbeten aktuale për shoqërinë dhe politikanët tanë.

“Vizita Juaj, Eminencë, në Shqipëri është dëshmi jo vetëm e kujtesës historike të marrëdhënieve të lashta mes shqiptarëve dhe Selisë së Shenjtë, por veçanërisht e rëndësisë që këto marrëdhënie kanë sot mes dy shteteve jo vetëm në planin dypalësh, por edhe në atë rajonal. Jo vetëm për promovimin e një shoqërie të drejtë, pa vese dhe plagë shoqërore dhe me të ardhme për të rinjtë, por edhe në vullnetin dhe përpjekjet tona për një rajon në paqe dhe bashkëjetesë, larg frymës së urrejtjes, nacionalizmit e ksenofobisë. Ne ndihemi të bekuar nga lutjet hyjnore të Papa Françeskut për popullin shqiptar dhe Shqipërinë. Mesazhet dhe lutjet për paqe dhe vëllazërim, për qetësi dhe bashkëjetesë janë sot aktuale për shoqërinë tonë, për politikën dhe politikanët, për përgjegjësinë e madhe dhe historike që ata duhet të tregojnë në çdo vendim që marrin në interes së të ardhmes europiane.”

Vizita e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit në vendin tonë, për kreun e Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zonjës Majlinda Dodaj, tregon forcimin e marrëdhënieve, si dhe kujdesin e veçantë që Selia e Shenjtë ka treguar për shqiptarët. Kjo vëmendje e Papa Françeskut ndaj vendit tonë, është treguar edhe në aktivitete të shumta që ka organizuar Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.

“Kjo është një tjetër tregues i bashkëpunimit dhe forcimit të raporteve mes Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë. Kardinali Parolin dhe Papa dhe e gjithë Selia e Shenjtë kanë shprehur gjithnjë vëmendje dhe dashuri ndaj Shqipërisë. Selia e Shenjtë ka vlerësuar gjithmonë tolerancën fetare në Shqipëri, e ka shprehur shumë herë Papa Françesku, e shprehu sot edhe Kardinali Parolin. Ata vlerësojnë paqen mes feve, por kanë treguar gjithnjë edhe respektin e madh ndaj martirëve tanë. Kardinali Parolin duke e vlerësuar këtë vlerë kaq të çmuar të Shqipërisë ka marrë pjesë edhe në shumë aktivitete që Ambasada jonë ka organizuar.

Në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, me kërkesë të veçantë të kreut të Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zonjës Majlinda Dodaj, Ati i Shenjtë Papa Françesku, pak muaj më parë pranoi të presë në Vatikan, në një audiencë të veçantë, qytetarë shqiptarë, përfaqësues të shtetit dhe shoqërisë, të besimeve fetare në Shqipëri, intelektualë e artistë.

Tv Klan