BSH: Sistemi financiar i qëndrueshëm, nuk ka rrezik për faliment

Pothuajse i gjithë sistemi financiar i vendit është prekur nga pasojat që shkaktoi karantinimi në periudhën Mars dhe Prill të këtij viti.

Aktiviteti i sektorit bankar, tregut të sigurimeve dhe fondeve të investimit është ngadalësuar duke reflektuar rënie të të ardhurave në të gjithë degët e kësaj industrie.

Në një mbledhje të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, me pjesëmarrjen e ministres së Financave, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe kreut të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, u konstatua se pavarësisht rihapjes së aktivitetit ekonomik, efektet e pandemisë mbi konsumin dhe investimet kanë dhënë goditje dhe në sektorin financiar.

“Është vënë re një ngadalësim i aktivitetit të ndërmjetësimit financiar të sektorit bankar, rënie e primeve të shkruara bruto në tregun e sigurimeve dhe pothuaj ndalim i rritjes së aktiveve neto në veprimtarinë e fondeve të investimit”.

Megjithatë, Grupi i Stabilitetit Financiar shprehet se nuk ka rrezik për faliment të ndërmarrjeve në këtë sektor.

“Sistemi financiar është i qëndrueshëm dhe situata financiare mbetet e mirë. Ky vlerësim reflekton zhvillimet pozitive në treguesit e sistemit financiar përpara shfaqjes së pandemisë”.

Në përfundim të mbledhjes, të gjithë institucionet pjesëmarrëse ranë dakord se sistemi financiar duhet të ndihmojë për nxjerrjen e bizneseve nga kriza e likuiditetit, ndërsa konstatoi se funksionimi i huave përmes skemave të garancive sovrane duhet të jetë më i shpejtë, por pa prekur qëndrueshmërinë e bankave.

Tv Klan