Mes pronave të sekuestruara, janë edhe ato të familjarëve të Ben Qimes

SPAK, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme konfiskoi pasuritë e 4 emrave të njohur të botës së krimit dhe familjarëve të tyre që kanë qenë më herët subjekte të vetëdeklarimit të pasurisë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, bëhet fjalë për pasuritë e familjarëve të Arben Isufajt, i njohur ndryshe edhe si “Ben Qimja”. Atyre iu konfiskuan 4 pasuri, përfshirë 1 ndërtese, dyqan, tokë truall dhe automjet.

Pak muaj më parë Gjykata e posaçme i konfiskoi Arben Isufajt edhe 11 pasuri të tjera, duke përfshirë një pulari, kapitalet e një shoqërie, sipërfaqe toke dhe gjashtë automjete. Këto pasuri janë në Fier dhe janë vendosur me të ardhura nga trafiku i drogës. Ben Qimja, u arrestua në vitin 2014 pasi ndaj tij kishte një urdhër ndalimi autoritetet italiane me akuzën e trafikut të drogës. Ekstradimi nuk u realizua pasi u rrëzua nga gjykata e Fierit.

Gjithashtu SPAK ka konfiskuar edhe pasuritë e Zaim Tafës, i dënuar për drogë dhe armëmbajtje pa leje, të Lulzim Zefit i dënuar për trafik kokaine dhe i dënuar në Angli me 12 vite burg. Pasuritë e tyre janë sipërfaqe toke, apartamente, dhe automjete. Prokuroria e Posaçme i bllokoi Tafës 7 pasuri ndërsa Zefit 17 të tilla. SPAK kaloi në favor të shtetit shqiptar edhe disa prona të belgut, Dries Lonneux, i akuzuar në Belgjikë për trafik droge.

Klan News

/tvklan.al