“Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve” ishte tema e konferencës së organizuar nga fondacioni “Fëmijët shqiptarë” dhe ambasada polake në vigjilje të 1 Qershorit, festës së fëmijëve. Presidentja e këtij fondacioni, Liri Berisha theksoi se respektimi i të drejtave të fëmijëve është me rëndësi për të ardhmen e vendit. Zonja Berisha kërkoi nga brezi i ri të marrë më shumë përgjegjësi mbi vete, ndërsa shtoi se për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve është e nevojshme të kemi një shoqëri të emancipuar.
Liri Berisha: “Brezi i ri që duhet të përfaqësojë shoqërinë tonë duhet të jetë një brez i cili duhet të dijë përgjegjësitë dhe të drejtat e veta. Ndërsa respektimi nga ana jonë e të drejtave të fëmijëve është shumë i rëndësishëm për krijimin e një brezi i cili do të përfaqësojë shoqërinë tonë të zhvilluar demokratike. Për të mbrojtur dhe respektuar të drejtat e fëmijëve është shumë e rëndësishme që të kemi një shoqëri të emancipuar dhe prindër që rrisin dhe edukojnë sot një fëmijë, duhet të dinë se ky fëmijë nuk është vetëm i familjes sot, por është nesër një fëmijë që i përket gjithë shoqërisë.”
I kurorëzuar si viti i Janush Korçakut, një ndër pediatrit më të shquar polak që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për çështjen e lidhur me të drejtat e fëmijëve, qeveria polake ka planifikuar një sërë seminaresh në 6 kryeqytete të botës, përfshirë edhe Tiranën.
Seminari në Tiranë, i planifikuar më 14 Qershor do të fokusohet në eksperiencën e vendeve të Evropës Juglindore në fushën e mbrojtjes të së drejtave të fëmijëve gjatë dy dekadave të shkuara./tvklan.al












Botërori 2026 