Presidenti Aleksandër Vuçiç ka inauguruar një fabrikë për montimin e dronëve të avancuar izraelitë, në kuadër të bashkëpunimit ushtarak me Izraelin.

Uzina, emri dhe vendndodhja e së cilës nuk janë bërë publike, do të punësojë rreth 100 persona. Vuçiç tha se ky është vetëm fillimi, duke paralajmëruar edhe tre fabrika të tjera me partnerë izraelitë.

“Planet tona janë të mëdha”, tha presidenti serb në një postim në rrjetet sociale ku shfaqi një video të tij duke vizituar objektin me ambasadorin izraelit Avivit Bar-Ilan.

Bashkëpunimi vjen në një kohë kur Serbia kritikohet për rritjen e eksporteve të armëve drejt Izraelit, pasi sipas raportimeve, ato u rritën nga 1.4 milionë euro në vitin 2023, në mbi 42 milionë euro një vit më pas.

Beogradi e justifikon zgjerimin e industrisë së mbrojtjes me nevojën për modernizimin e ushtrisë dhe ruajtjen e neutralitetit ushtarak.

Klan News

/tvklan.al