Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, beson te përmbysja ndaj Interit në çerekfinalen e Ligës së Kampioneve.
Tekniku i bavarezëve, deklaroi se në ndeshje të tilla, detajet bëjnë diferencën dhe vendosin fatin e takimit.
Kompany i cilësoi si speciale sfidat e tilla, ndërsa shtoi se shpreson që ekipi të ketë sërish raste për shënim si në ndeshjen e parë.
“Duhet të fillojmë nga ideja se detajet mund të bëjnë diferencën. Ndonjëherë netë si këto janë speciale. Ne mund t’i quajmë si të tilla. Janë disa ndeshje ku nevojitet shumë pak, për të vendosur fatin e saj. Kjo ndodhi në takimin e parë.
Të kujtojmë rastet e shumta, të cilat duhet t’i kishim shfrytëzuar. Shpresojmë t’i kemi sërish. Kjo skuadër ka pasur disa probleme fizike dhe jemi përpjekur të rikuperojmë energji për të qenë të rrezikshëm. Gjëja e fundit që do të bëja është që të fajësoj një lojtar të caktuar. Unë kam besim tek të gjithë lojtarët që kam në ekip.
Çfarë Interi pres? Për këtë duhet të pyesni trajnerin e tyre. Nëse ata vendosin të luajnë lart dhe në sulm, ne duhet të jemi të përgatitur për këtë. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është cilësia e dy skuadrave, duhet të dini se si të merrni vendimet e duhura në momente të ndryshme të lojës”, deklaroi Kompany.
Interi fitoi 2-1 në ndeshjen e parë ndaj Bayern Munich, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet në “San Siro”, të Mërkurën në orën 21:00. /tvklan.al