Pas dy humbjeve radhazi, Egnatia kërkon të rikthehet te fitorja. Rrogozhinasit përballen me Partizanin në transfertë, një kundërshtar që i mposhti në Kupë.
Në deklaratën para ndeshjes, trajneri i kampionëve, Edlir Tetova e cilësoi si një fund të egër atë në kampionat.
Tekniku i Egnatias zbuloi se do të ketë mungesa për këtë përballje dhe për këtë arsye nuk ka luksin për të menaxhuar titullarët.
“Mendoj që është një përballje që kërkon impenjim maksimal, për të ruajtur vendin e parë dhe për të pasur një vazhdimësi sepse vijmë nga dy humbje, si në Kupë me Partizanin ashtu dhe në kampionat me Elbasanin.
Reparti që po çalon më tepër është mbrojtja, aty duhet të vendos theksin. Sërish kemi mungesa në mbrojtje, mungon Xhemajli, pas dëmtimit në Kupë me Partizanin, po ashtu edhe ndaj Elbasanit nuk ishte. Edhe nesër nuk është i pranishëm. Duke shtuar këtu Malotën edhe Ndrecën po në mbrojtje. Mendoj që me pak kujdes do të bëjmë diçka.
Ka fund të mirë, por ka edhe fund të egër, në këto momente na ka rënë një fund i egër për vetë faktin që të dyja skuadrave iu duhen pikët e plota. Mendoj që do të jetë një ndeshje që do të ketë goxha luftë sportive.
Nuk e kam luksin të menaxhoj titullarët. Jemi me mungesa, jemi munduar të operojmë diçka me mesfushorët në mbrojtje, por mendoj që duhet të kapim ritmin për të qenë sa më të gatshëm për finalet e Final 4”, deklaroi Tetova.
Ndeshja Partizani-Egnatia do të luhet të Shtunën, duke nisur nga ora 15:30. /tvklan.al