Sfida e turizmit nuk mbyllet me sezonin veror.
Pas vështirësive për të gjetur punonjës gjatë muajve të fluksit, bizneset përballen tashmë me një tjetër problem, si të mbajnë stafin e trajnuar edhe kur aktiviteti bie.
Mungesa e fuqisë punëtore ka bërë që hoteleria dhe shërbimet turistike të mbështeten gjithnjë e më shumë te punonjësit e huaj.
Por operatorët kërkojnë që zgjidhja të fokusohet edhe te fuqia punëtore vendase, e cila, sipas tyre, ka një avantazh të rëndësishëm në raport me shërbimin ndaj turistëve.
Pas përfundimit të sezonit, nevoja për punonjës reduktohet ndjeshëm. Strukturat që vijojnë aktivitetin gjatë gjithë vitit ulin numrin e stafit, ndërsa bizneset që mbyllen për disa muaj përballen me rrezikun e humbjes së punonjësve të trajnuar.
Për këtë arsye, operatorët e sektorit kanë diskutuar me qeverinë një skemë mbështetjeje për muajt jashtë sezonit. Propozimi parashikon subvencionimin e pagës minimale dhe të sigurimeve shoqërore për një staf bazë, në mënyrë që punonjësit të mos largohen dhe bizneset të ruajnë ekipet e formuara.
Për bizneset, ruajtja e punonjësve do të shmangte kostot dhe kohën e nevojshme për rekrutimin dhe trajnimin e stafit të ri çdo sezon.
Përfaqësuesit e hoteleri-turizmit thonë se nga diskutimet me qeverinë kanë marrë sinjale pozitive dhe se po punohet për konkretizimin e skemës.
Nëse marrëveshja realizohet, synimi është që punësimi në turizëm të mos jetë më një cikël që nis dhe përfundon me verën, por një marrëdhënie më e qëndrueshme gjatë gjithë vitit.
Një model që, sipas operatorëve, do të ndikonte drejtpërdrejt edhe në cilësinë e shërbimit dhe eksperiencën e turistëve.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 