SHBA dhe Danimarka kanë arritur një marrëveshje të re për sigurinë e Groenlandës, duke hapur rrugën për zgjidhjen e një prej përplasjeve më të forta diplomatike të muajve të fundit.

Presidenti Donald Trump deklaroi se marrëveshja i jep Shteteve të Bashkuara kontroll të përhershëm mbi çështjet e sigurisë në territorin autonom danez.

“Jam i kënaqur të njoftoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur një Marrëveshje me Mbretërinë e Danimarkës dhe Groenlandën, e cila i jep Shteteve të Bashkuara kontroll të përhershëm mbi sigurinë dhe të gjitha nevojat e tjera të ishullit. NUK DO TË KETË ASNJË KOSTO për Shtetet e Bashkuara!Për më tepër, që nga tani, asnjë kundërshtar i SHBA-së nuk mund të ketë KURRË një bazë në Groenlandë, prani ushtarake apo të kryejë investime të ndjeshme pa miratimin tonë të shprehur me shkrim”, tha Trump.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri i Groenlandës Jens-Frederik Nielsen e kanë mirëpritur marrëveshjen, duke theksuar se ajo forcon sigurinë në Arktik, ndërsa njeh sovranitetin e Mbretërisë së Danimarkës dhe të drejtën e groenlandezëve për vetëvendosje.

Megjithatë, teksti i marrëveshjes ende nuk është publikuar. Sipas një zyrtari amerikan, ajo parashikon akses të përhershëm për forcat amerikane, të drejtën për ndërtimin e strukturave të reja ushtarake dhe kufizime ndaj Rusisë e Kinës.

Marrëveshja pritet të nënshkruhet javën e ardhshme në Kombet e Bashkuara.

/tvklan.al