Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë vijuar shkëmbimin e sulmeve në Lindjen e Mesme.

Komanda Qendrore amerikane goditi tre anije iraniane të shtunën në mbrëmje, përfshirë njërën në brigjet e ishullit Kharg, pranë qendrës së eksportit të naftës së Iranit.

Goditja ishte përgjigje ndaj një sulmi të mëparshëm me raketa të Gardës Revolucionare drejt dy anijeve të Marinës Amerikane.

Admirali amerikan Brad Cooper kërcënoi se, nëse shkëmbimi vazhdon, përgjigjja ndaj Iranit do të jetë një kosto edhe më e lartë ekonomike, me shkatërrime të mëdha.

Ushtria iraniane u përgjigj këtë të diel, siç tha ajo, duke shënjestruar tre tankerë karburanti, si dhe tre anije të lidhura me SHBA. Kryetari i parlamentit të Iranit, Mohamed Galibaf, tha se Uashingtoni duhet të kuptojë që rregullat e lojës së luftës kanë ndryshuar.

“Që tani e tutje, çdo shkelje e sigurisë dhe aseteve të Iranit do të përballet me një përgjigje më të shpejtë, më të rëndë dhe më të dhimbshme.”

Shkëmbimi i sulmeve pasoi një përshkallëzim të javës së kaluar.

Ndërsa administrata amerikane po kërkon të ndryshojë kursin drejt një shtrëngimi ekonomik me sanksione ndaj Iranit, vetë presidenti e ka mbajtur të hapur mundësinë e veprimeve ushtarake.

Tv Klan

/tvklan.al