Tensionet në Lindjen e Mesme u intensifikuan, ndërsa vendet perëndimore vazhduan t’u bëjnë thirrje qytetarëve të largohen nga Libani mes shqetësimeve për një përshkallëzim të konfliktit në një luftë rajonale.

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikes dhe Britanisë së Madhe, edhe Franca dhe Italia u kërkuan të dielën qytetarëve të tyre të largohen sa më parë nga Libani.

Irani është zotuar për një hakmarrje të ashpër kundër Izraelit, të cilin e fajëson për vdekjen e shefit politik të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran. Vrasja e tij erdhi disa orë pasi Izraeli vrau komandantin e lartë të Hezbollahut FuadShukr në Bejrut.

Zyrtarët perëndimorë kanë frikë se Hezbollahu, një milici dhe lëvizje politike e mbështetur nga Irani me bazë në Liban, mund të luajë një rol kyç në çdo hakmarrje të tillë.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara po rrisin praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, si një masë mbrojtëse me synimin për të ulur tensione në rajon.

Ai shtoi se SHBA dhe Izreali po përgatiten për çdo skenar të mundshëm, të ngjashëm si ai i prillit ku Irani lëshoi drone drejt Tel Avivit. Pentagoni tha të premten se do të vendosë avionë luftarakë shtesë dhe anije luftarake të marinës në rajon.

Tv Klan