Ulet kurba e viktimave në Itali dhe Spanjë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hyrë në javën më kritike të përballjes më koronavirusin. Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 1,200 persona, duke e çuar totalin e vdekjeve në mbi 9,600. Vendet më të prekura janë Nju Jorku, Miçigani dhe Luiziana. Presidenti Donald Trump deklaroi se kohë shumë të vështira do të vijnë, kurse ekspertët mjekësorë të Shtëpisë së Bardhë kanë parashikuar pandemia mund të vrasë 100,000 deri 240,000 amerikanë, edhe nëse respektohet urdhri i qëndrimit në shtëpi apo distancimit social.

Britania e Madhe ka hyrë në javën e katërt të mbylljes totale, por numri i viktimave dhe të të prekurve vijon të rritet. 621 viktima dhe 5,903 raste të reja u shënuan të dielën, duke e çuan në total numrin e fataliteteve në 4,934 dhe të të infektuarve në mbi 47 mijë. Ministri i Shëndetësisë Matt Hancock deklaroi se qeveria do të jetë e detyruar të ashpërsojë masat nëse njerëzit vijojnë t’i shkelin ato. Ndërkohe Kryeministri Boris Johnson do të vijojë të drejtojë vendin, edhe pse i shtruar në spital me Covid-19.

Ndërkohë në Itali dhe Spanjë kurba ka nisur të bjerë, gjë e cila ka rritur shpresat tek vendet e tjera për rezultate të ngjashme nëse do të respektohet mbyllja totale.

Këtë të hënë Italia shënoi 636 të vdekur duke e çuar totalin e tyre në mbi 16 500. Infektimet e reja janë afro 2 mijë, shifra më e ulët e këtyre ditëve duke shënuar në total 132 mijë të prekur. Në të gjithë Italinë 87 mjekë kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19.

Spanja vijon të jetë në gjendje kritike pavarësisht një bilanci disi më të zbutur. Në 24 orët e fundit u shënuan 414 humbje jetësh dhe 3,386 raste të reja. Situata e rëndë ka çuar në rritjen drastike të kërkesës për arkivole, të cilët ditët e fundit po prodhohen dhjetë fish më shumë se në fillim të epidemisë.

Mbreti i Suedisë, Carl Gustaf, iu drejtua të dielën në mbrëmje popullit, duke bërë apel për qëndrim në shtëpi, teksa pandemia po shtrihet gjerësisht edhe në vendin skandinav. Vetëm të dielën u regjistruan 6,830 raste të reja dhe 401 persona humbën jetën. Por pavarësisht kësaj, Kryeministri i vendit tha se beson në përgjegjësinë e secilit në mbajtjen e distancës, duke lënë të kuptohet se nuk do të ashpërsojë masat.

Janë rreth një milionë e 300 mijë njerëz të infektuar me koronavirus në të gjithë botën, teksa 69,514 të tjerë kanë humbur jetën.

Tv Klan