Uashingtoni do të shpallë sanksione të reja ndaj partnerëve tregtarë të Teheranit, në atë që Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, e cilëson si ofensivën më të madhe financiare të ndërmarrë ndonjëherë kundër një kundërshtari.

Një “D-Day” ekonomik e quajti Bessent, duke e krahasuar me ditën kur ushtria amerikane zbarkoi në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në shënjestër do të jenë vendet dhe kompanitë që vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin.

Teherani ndërkohë ka kërcënuar me një kundërpërgjigje të fortë. Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, Mohsen Rezaei, paralajmëroi se Irani mund të ndalojë të gjitha eksportet e naftës.

“Asnjë pikë nafte nuk do të eksportohet, as përmes Ngushticës së Hormuzit dhe as nga ndonjë vend në Gjirin Persik. Irani do ta konsiderojë pjesëmarrjen ose mbështetjen e çdo vendi për luftën e Amerikës kundër popullit iranian si një akt lufte.”

Përshkallëzimi ekonomik vjen pas muajsh konflikti dhe dëmesh të mëdha në Iran, ndërsa ekonomia e vendit përballet me inflacion, dobësim të monedhës dhe dëmtime të infrastrukturës.

Ndërkohë, Pakistani po përpiqet të ndërmjetësojë. Shefi i ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, mbërriti sot në Teheran për të diskutuar zhvillimet e fundit dhe përpjekjet për uljen e tensioneve.

Tv Klan

/tvklan.al