Demokratët amerikanë triumfuan në zgjedhjet e mesit të mandatit, duke siguruar shumicën në të dyja dhomat e Kongresit.

Në Senat, demokratët siguruan shumicën me 54 ulëse, duke u marrë republikanëve 7 vende, ndërsa këta të fundit ranë në 44 vende. Shumicën, demokratët e siguruan edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, me 231 vende, kundrejt 139 të republikanëve. Teksa numërimi vijon, mbeten ende për t’u përcaktuar 2 vende në senat dhe 65 në dhomën e ulët, por që nuk ndryshojnë shumicën.

Përmbysja e madhe u shënua në bastione konservatore ku demokratët rrëmbyen fitore historike, si në Teksas, Kansas dhe Ajova. Pas qartësimit të rezultateve, Donald Trump publikoi një foto në Truth, të kapeles së tij të kuqe me mbishkrimin VETO, që ka paralamëruar ta përdorë për vendimet e kongresit në vazhdim. Megjithatë, në një intervistë telefonike më vonë për televizionin FOX NEËS, Trump pranoi humbjen duke thënë se do të bashkëpunojë me demokratët, të cilët sipas tij bënë një punë të mirë.

Trump u shpreh disi u surprizuar nga rezultati, ndërsa u duk i bindur se nëse do të konkurronte ai vetë, demokratët do të humbnin.

Këto zgjedhje sollën disa risi. Për të parën herë pjesë e senatit do të jetë një homoseksual, demokrati Kris Papas dhe një mysliman po demokrat Abdul el-Sajed me origjine familjare nga Egjipti. Demokrati Havier Beserra u bë i pari amerikanolatin që fitoi si guvernator i Kalifornisë, në garën në 36 shtete që u zhvilluan krahas atyre për kongresin. Edhe pse e përgjithshmja është duke u përllogaritur, rekord absolut shënoi pjesëmarrja në zgjedhjet e hershme 61.7 milionë amerikanë. Një tjetër detaj i veçantë historik ishte edhe votimi i hershëm i një Pape si Leo XIV, i cili është shtetas amerikan. Shpenzimet totale arritën shifrën rekord prej rreth 12 miliardë dollarësh.

/tvklan.al