Shtetet e Bashkuara pritet të hapin dy baza të reja ushtarake në Groenlandë, në kuadër të marrëveshjes së re për sigurinë në Arktik, që pritet të nënshkruhet në Nju Jork, mes Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe qeverisë së Groenlandës.

Sipas burimeve të Reuters, një nga bazat do të ngrihet në jug të ishullit, aty ku Shtetet e Bashkuara operonin bazën ushtarake Bluie West One deri në vitet 1950.

Zona sot ka vetëm disa dhjetëra banorë.

Baza e dytë pritet të vendoset në Mestersvig, në bregun lindor, e cila është pjesë e forcave speciale dhe ka për detyrë të mbikëqyrë territorin danez në Arktik.

Marrëveshja ende nuk është bërë publike, Danimarka thotë se ajo do ta vendosë sigurine e Arktikut në një kuadër më të gjerë të NATO-s, duke e bërë atë një përgjegjësi jo vetëm të Uashingtonit dhe Kopenhagenit.

Ky zhvillim vjen pas muajsh tensionesh, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar kontrollin e Groenlandës dhe ka refuzuar në të kaluarëne të përjashtojë përdorimin e presionit ekonomik apo ushtarak.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara kishin 17 instalime ushtarake dhe më shumë se 10 mijë trupa në Groenlandë. Sot, baza Pituffik mbetet i vetmi instalim i përhershëm amerikan.

Marrëveshja pritet të nënshkruhet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në prani të Trump, kryeministres daneze Mette Frederiksen dhe kryeministrit të Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen.

Klan News

/tvklan.al