Shtetet e Bashkuara dhe Japonia kanë ndërhyrë së bashku në tregjet valutore për të mbështetur monedhën japoneze, jenin.

Lajmi u konfirmua nga Presidenti amerikan Donald Trump, Sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe Ministria japoneze e Financave.

Bessent deklaroi se Uashingtoni nuk do të hezitojë të përsërisë ndërhyrje të tilla nëse luhatjet e jenit bëhen të çrregullta, duke theksuar se stabiliteti i tregjeve financiare mbetet prioritet.

Ai bëri të ditur se u përdor edhe mekanizmi i Rezervës Federale, i njohur si FIMA Repo Facility, i krijuar gjatë pandemisë për t’u ofruar bankave qendrore akses të përkohshëm në likuiditet në dollarë.

Sipas tij, ky instrument duhet të zgjerohet në muajt e ardhshëm për të forcuar mbështetjen ndaj partnerëve ndërkombëtarë në periudha tensioni financiar.

Presidenti Donald Trump e cilësoi ndërhyrjen si një sinjal miqësie ndaj Japonisë, duke theksuar se një jen më i qëndrueshëm i shërben jo vetëm ekonomive të dy vendeve, por edhe stabilitetit të ekonomisë globale.

“Sepse kemi një marrëdhënie të mirë me Japoninë. Ne jemi shumë të fortë, shumë, shumë të fortë financiarisht dhe ekonomia e tyre po dobësohej, kështuqë na kërkuan ndihmë dhe ne jemi gjithmonë aty për Japoninë, sepse kanë qene shumë të mire me ne”, tha Trump.

Sipas raportimeve të Financial Times, kjo është hera e parë që Uashingtoni dhe Tokio ndërhyjnë së bashku për të mbështetur monedhën japoneze që prej fundit të viteve ’90, duke sinjalizuar një koordinim të ri mes dy aleatëve përballë paqëndrueshmërisë në tregjet financiare ndërkombëtare.

Klan News

/tvklan.al