Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin financimin vjetor prej katër miliardë dollarësh për Izraelin, duke nisur nga fundi i këtij viti.

Në një intervistë telefonike për Fox News, kreu i Shtëpisë së Bardhë argumentoi se Izraeli është tashmë një shtet ekonomikisht i zhvilluar dhe nuk ka me nevojë për këtë mbështetje financiare nga Uashingtoni.

“Sa i përket pagesave për Izraelin, unë dhe Netanyahu kemi arritur një marrëveshje që ne i japim Izraelit 4 miliardë dollarë në vit. Por, muaj më parë, ramë dakord që kjo të ndalet. Ata janë dakord me këtë, sepse janë bërë një vend shumë i suksesshëm. Nuk do t’i paguajmë më Izraelit. Kemi rënë dakord që deri në fund të këtij viti të mos i japim më para. Megjithatë, do ta ndihmojmë Izraelin nëse do të ketë nevojë. Ata kanë qenë një aleat i shkëlqyer”, tha Trump.

Ai theksoi se vetë Netanyahu kishte propozuar përfundimin e marrëveshjes.

“E kam pyetur dhe ata nuk kanë nevojë. Pse duhet të përballemi me kritika, kur Izraeli nuk ka nevojë për këto para? Është një argument i keq politik. Ne i japim Izraelit më shumë se kujtdo tjetër, por ata janë tashmë një vend që po lulëzon. Madje, dua të jem i sinqertë me ju, ishte ai që e ngriti këtë çështje. Ai tha se do të ishte e përshtatshme që të mos merrnin më ndihmë, sepse e kupton se kjo është një nga pikat që përdoren kundër tyre”, tha Trump.

Megjithatë, deklaratat e presidentit amerikan kanë ngritur pikëpyetje se për cilën paketë financimi bëhet fjalë konkretisht.

Memorandumi aktual i mirëkuptimit mes Uashingtonit dhe Tel Avivit parashikon 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit dhe skadon në vitin 2028.

Ndërkohë, dy vendet kanë diskutuar për të ardhmen e kësaj mbështetjeje pas përfundimit të marrëveshjes.

Një pjesë e elektoratit demokrat dhe disa përfaqësues politikë po kërkojnë rishikimin e marrëdhënieve financiare dhe ushtarake me Izraelin, duke vënë në diskutim vazhdimin e mbështetjes tradicionale amerikane.

Klan News

/tvklan.al