Shtetet e Bashkuara nuk i konfirmuan, por as nuk i mohuan deklaratat e presidentit Zelensky lidhur me propozimin që do t’i siguronte Ukrainës anëtarësimin në NATO në këmbim të territorit të Donbasit.

Në një reagim në mediat sociale, negociatori amerikan Jared Kushner tha se kanë dalë shumë ide të cilat po shqyrtohen.

“Disa mund të çojnë në përparim të menjëhershëm të madh, ndërsa të tjerat mund të evoluojnë në propozime të reja që do të ndihmojnë në tejkalimin e boshllëqeve”.

Pa iu referuar konkretisht deklaratave të Zelensky-t, dhëndri i Trumpit shprehu keqardhje për transmetimin në media të qëndrimeve maksimaliste nga të dyja palët, të shoqëruara me retorikë të fortë.

Megjithatë, Kushner thekson se NATO-ja do të mbetet një shtyllë jetësore e sigurisë evropiane dhe se Trumpi do të mbështesë vetëm marrëveshjet që forcojnë sigurinë e Ukrainës dhe Evropës.

Diskutimet e fundit rreth marrëveshjeve vijnë pas bisedimeve të Abu Dhabit, të cilat nuk arritën të sjellin ndonjë përparim domethënës për zgjidhjen e krizës.

Por ato lejuan që të gjitha palët të bien dakord për pjesëmarrjen e evropianëve në negociatat e ardhshme, pasi Moska dhe Uashingtoni thonë se duan të diskutojnë jo vetëm luftën, por edhe sigurinë e kontinentit.

Tv Klan

/tvklan.al