Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka pezulluar aplikimet për viza emigracioni në gjithë botën.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për Financial Times se ka nisur një iniciativë për trajnimin e stafit në të gjitha ambasadat dhe konsullatat amerikane.
Zëdhënësi tha se Departamenti i Shtetit këtë muaj nisi “një iniciativë globale trajnimi” për t’u “siguruar që të gjithë zyrtarët konsullorë janë plotësisht të aftë për të vlerësuar çdo aplikant për vizë”.
“Një Amerikë më e begatë do të thotë të sigurohet që aplikantët për vizë nuk ka gjasa të bëhen barrë publike, siç përcaktohet sipas ligjit dhe rregullores amerikane, dhe nuk ka gjasa të bëhen të varur nga përfitimet publike të SHBA-së të rezervuara për amerikanët e kualifikuar në nevojë.”
Departamenti i Shtetit nuk dha detaje për trajnimin dhe afatet e tij, por bëri me dije se ky trajnim synon t’i ndihmojë zyrtarët të përjashtojnë aplikantët që vlerësohet se mund të bëhen të varur nga përfitimet publike në SHBA.
Aplikantët me intervista të planifikuara në ambasadat dhe konsullatat amerikane kanë marrë email-e ku thuhet se takimet e tyre po ricaktoheshin dhe se do të njoftoheshin për datat dhe oraret e reja.
Pezullimi i vizave është masa më e fundit e administratës së Donald Trump në politikat e saj të ashpra ndaj emigracionit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 