Miliona amerikanë po iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët në 18 qytete të mëdhenj të vendit.
Zgjedhje po zhvillohen edhe për guvernatorët e Virxhinias e Nju Xhersit.
Vëmendjen më të madhe e ka marrë gara për kreun e bashkisë së Nju Jorkut, qytetit më të populluar të Shteteve të Bashkuara me gati 8 milionë banorë.
Gjatë ditës, kutive të votimit iu drejtua Zohran Mamdani, kandidati demokrat i zgjedhur mes shumë rivalëve të tjerë në zgjedhjet paraprake brenda partisë.
34-vjeçari me prindër nga Ugamda dhe India konsiderohet si fenomen politik, pasi shquhet për bindjet e majta dhe është kundër kastës drejtuese të partisë së tij.
Fokusi i fushatës si tij ishin banesat e përballueshme dhe të drejtat e emigrantëve.
Rivali i tij kryesor është demokrati tjetër Endrju Kuomo. 67-vjeçari, ish-guvernator i shtetit të Nju Jorkut, që kandidon si i pavarur, pasi nuk siguroi mbështetje në garën brenda partisë. Pasi votoi këtë të martë, ai i quajti këto zgjedhje, një luftë civile brenda Partisë Demokrate.
Cuomo, demokrat i qendrës, konsiderohet si administrator i fuqishëm dhe si figurë polarizuese. Është shquar për përplasjet gjatë pandemisë me Donald Trump-in gjatë mandatit të tij të parë, por edhe është vlerësuar prej tij si drejtues i zoti dhe bashkëpunues.
Përmes një postimi në rrjetin Truth, Trump doli haptazi në mbështetje të Kuomos, duke paralajmëruar se do të ndërpresë fondet nga administrata për Nju Jorkun, nëse fiton Mamdani.
Sondazhet parashikojnë një fitore bindëse të majtistit Mamdani me 46.1%, gati 15% mbi Kuomon.
Në garë është dhe kandidati republikan Kërtis Sliua, i cili ka mbështetje të vogël dhe nuk përfillet as nga Donald Trump.
Nju Jorku konsiderohet si bastion i demokratëve, ndaj zgjedhjet e 4 Nëntorit, të parat pas rizgjedhjes së Trumpit president, konsiderohen si barometër për politikat e tij ekonomike dhe për migracionin.
Ato japin parashikime edhe për zgjedhjet e mesit të mandatit ku votohet për 1/3 e senatit dhe dhomën e përfaqësuesve. 10 ditët e fundit kanë votuar në zgjedhjet e hershme rreth 700 mijë banorë, të cilët votojnë në qendra të posaçme dhe me postë.
Tv Klan
PAMJET: REUTERS
/tvklan.al












Botërori 2026 
