Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte thotë se nuk sheh ndonjë kërcënim të afërt të përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia, pavarësisht retorikës “së pamatur dhe të papërgjegjshme” të Kremlinit.

Javën e shkuar, Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi përdorimin e armëve bërthamore kundër vendeve të NATO-s që lejojnë Ukrainën të godasë me armët e tyre me rreze të gjatë veprimi, territorin rus.

Komentet e Putinit erdhën pasi Ukraina kërkoi miratimin për të përdorur raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi kundër objekteve ushtarake në Rusi.

Ndërkohë, Rutte në konferencën e tij të parë për shtyp që nga marrja e detyrës në krye të aleancës ushtarake tha se ai mbështet të drejtën e Ukrainës për të kryer sulme të tilla.

Më tej, në fjalën e tij, ai u bëri thirrje vendeve të NATO-s që të vazhdojnë të armatosin Ukrainën duke thënë se sa më shumë që ta ndihmojnë atë, aq më shprejt lufta do të përfundojë.

“Kostoja e mbështetjes së Ukrainës është shumë, shumë më e ulët, sesa kostoja me të cilën do të përballeshim nëse e lejojmë Putinin të arrijë qëllimin e tij”, tha Rutte, duke përsëritur angazhimin e paraardhësit të tij për ta sjellë Ukrainën më afër anëtarësimit në NATO.

Ai pranoi se situata në fushën e betejës në Ukrainë ku Rusia po bën përparim të ngadalshëm, por të qëndrueshëm është e vështirë./tvklan.al