Një sherr i pazakontë ka ndodhur sot në 15 qershor në ambientet e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.
Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, disa të pandehur janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Saktësisht, tre vëllezër nga Tropoja kanë gjakosur të pandehurin tjetër P.Ç në kafazin e xhamtë.
Menjëherë në vendngjarje ka arritur policia. Mësohet se janë rrahur me njëri-tjetrin të dyshuarit për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Renis Dobrës. Gjyqtar në seancën ku ka ndodhur sherri ishte Bibë Ndreca.
Kujtojmë se rrëmbimi dhe më pas vrasja e Renis Dobrës ishte një ngjarje, që tronditi opinionin publik një vit më parë. Dobra u mor peng, u mbyt dhe u hodh se bashku me makinën e tij në liqenin e Shkopetit. Shkak dyshohet të ketë qenë prishja e pazareve të drogës.
Pas ngjarjes, policia arrestoi tre vëllezër nga Tropoja, të dyshuar për ngjarjen. Pjesë e organizmit të rrëmbimit dhe vrasjes ka qenë edhe P.Ç, i cili u arrestua pak ditë pas ngjarjes. Pikërisht ky i fundit ka rënë pre e dhunës ditën e sotme.
Detaje, si vëllezërit e dhunuan P.Ç
Burime bëjnë me dije se gjatë seancës vëllezërit kanë dhunuar P.Ç me dyshimet se ky i fundi i ka spiunuar dhe ka shpifur për ata.
Sherri ka nisur pasi seanca kishte filluar dhe vëllezërit kanë qëlluar me grushta dhe përplasur për muri P.Ç. Po ashtu janë dëmtuar edhe 3 efektivë të togës së shoqërimit të burgjeve, për shkak të përplasjes fizike, ndërkohë salla e Gjykatës Posaçme është kthyer në skenë krimi.
Pas dhunës në kafazin e xhamtë, GJKKO ka ndërprerë proceset. Janë duke u bërë këqyrjet e kamerave të sigurisë dhe do të bëhet gati referimi pranë Komisariatit Numër 3 në Tiranë.
/tvklan.al












Botërori 2026 