Është gjetur edhe trupi i pajetë i sulmuesit të tretë në konfliktin e armatosur një ditë më parë në Manastirin e Banjskës së Malishevës gjatë kontrollit të policisë së Kosovës në fshatin Banjskë dhe Manastir.
Të tre sulmuesit e vrarë ishin të pajisur me armë të gjata dhe uniforma ushtarake, ka bërë të ditur në konferencën për media drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ndërsa dy të plagosur tashmë janë në duart e autoriteteve të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sfeçla beson se 6 persona të tjerë të plagosur po trajtohen në Serbi, ndërsa i ka bërë thirrje kësaj të fundit që t’i dorëzojë të plagosurit.
“Kërkojmë nga Serbia që ata t’i dorëzojë menjëherë autoriteteve të Kosovës që t’i përgjigjen drejtësisë për aktet e tyre terroriste”.
Besohet se personat e tjerë të dyshuar kanë arritur që të largohen në këmbë nga hapësirat e manastirit duke lënë prapa arsenalin me armë dhe 24 automjete, disa prej tyre të blinduara e që u prezantuan para mediave bashkë me arsenalin e armëve.
Njëra prej veturave dyshohet se është e Milan Radoiçiç, i cili besohet se ka udhëhequr grupin e armatosur të dielën.
“Në këto materiale po ashtu kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit që po ashtu është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Milan Radoiçiç, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion”.
Policia ka konfiskuar edhe 2 motorë, eksplozivë 150 copë, dinamit, detonator elektrikë, silenciator për AK47, karikatorë. Janë konfiskuar edhe kamera, harta, armë të tjera, dronë, jelekë antiplumbë dhe qindra uniforma ushtarake.
Fshati Banjskë dhe manastiri vazhdojnë të jenë në shtetrrethim, ndërsa veturat e banorëve lokal që kontrollohen në imtësi.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 