Të ftuar:

Neritan Liçaj – aktor

Pejana Elezi – gazetare

Adela Hysenllari – gazetare

Stresi – këngëtar

Gazetare: Agida Koçi, Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Fërgesë me patëllxhanë dhe gjizë

400 gr patëllxhanë

200 gr speca mix ngjyra

2 lgj miell për lyerjen e patëllxhanëve

Vaj Gusto për skuqje

400 gr domate

1 lugë supe sheqer

6 thelpinj hudhër

150 gr gjizë pa kripë

50 ml pana

4 lgj vaj ulliri

Majdanoz

Fillimisht presim patëllxhanët në 1/4 për së gjati e më pas në copa me gjatësi 3-4 cm. I vendosim në ujë me kripë për 15 min i shpërlajmë i thajmë e më pas i pudrosim lehtë me pak miell. Në një tigan ngrohim vajin dhe i skuqim patëllxhanët sa të zverdhen lehtë i largojmë dhe i lëmë mënjanë.

Ndërkohë paralel me skuqjen e patëllxhanëve vendosim një tigan tjetër me 4 lugë gjelle vaj ulliri + hudhrat e copëtuara. I përziejmë për 1 min e më pas shtojmë domatet në kubik + 1 luge supe sheqer. Lëmë domatet të ziejnë në temperaturën mesatare për 10 min. Shtojmë 1 filxhan kafe ujë i lëmë të marrin pak valë. Ndërkohë në tigan ku skuqim patëllxhanët kaurdisim specat të prerë në rrathë dhe i skuqim vetëm për 3-4 minuta dhe i shtojmë tek patëllxhanët. Shtojmë pak kripë, piper të zi mund të shtoni dhe pak spec pikant nëse dëshironi. Shtojmë në fund gjizën rreth 3 lugë gjelle = 150 gr. E trazojmë me kujdes nëse fërgesa është e thatë mund të shtojmë shumë pak pana + majdanoz. Mund të vendosni dhe në një tavë dheu dhe e lëmë në furrë vetëm 10 min në temperature 190 gradë.

Proshutë dhe djathë mbështjellë në sfoliatë

1 petë sfoliatë

200 gr proshutën që dëshironi

150 gr djathë pice

1 vezë

1 lgj qumësht

2 lgj susam

Fillimisht në një tepsi shtrojmë letër pjekje, presim petën në 9 pjesë drejtkëndësh në secilën prej tyre vendosim një copë djathi. Bashkojmë 2 copat duke i fiksuar në mes. Përziejmë vezën me 1 lugë gjelle qumësht dhe lyejmë të gjithë sipërfaqet e petës. E spërkasim me pak susam e më pas i pjekim në furrë në temperaturën 190 gradë për 20 min.

Stresi, Neritani, Pejana & Adela: A vazhdon njësoj shoqëria pas martese?

Nga ‘djali i prapë’ në një romantik, Stresi: Kam ndërruar identitet për dashurinë

Në lidhjen e tij të mëparshme, Stresi shprehet se nuk janë krijuar situata që t’i jetë dashur t’i kërkojë partneres të kufizojë rrethin shoqëror. Ai shpjegon për “Shije Shtëpie” në Tv Klan se të dy njihnin shoqëritë respektive pasi për të është një kriter i rëndësishëm. Reperi shton se pas kësaj ka marrë edhe disa kritika nga ana e ish-partneres për shoqërinë e tij.

Mua nuk më ka ndodhur asnjëherë një rast i tillë sepse kam patur një vajzë të mrekullueshme në krah, realisht, le të themi një vajzë zonjë në llojin e saj dhe në moshën që kishte. Jo, s’më ka ndodhur sepse ajo kishte një shoqëri shumë të kufizuar, unë ia njihja shoqërinë e saj të ngushtë.

Ermelinda Ndoja: Pra duhet ta njohë partneri të gjithë shoqërinë e partneres, patjetër?

Stresi: Patjetër përderisa është shoqëria e ngushtë, unë duhet ta njoh dhe duhet ta njohë edhe ajo shoqërinë time dhe pastaj bëhen ato zgjedhjet “dëgjo se ai  shoku yt më duket poak kështu…”, mendoj që duhen marrë me sportivitet.

Ermelinda Ndoja: Ia ke thënë ti asaj apo ajo ty?

Stresi: Ajo mua.

Stresi shprehet se kur vendos të krijosh një marrëdhënie, duhet që çifti të përshtatet dhe të ketë kujdes edhe në raportet kundrejt shokëve apo shoqeve të ngushta. Ai thotë se është i gatshëm të sakrifikojë shumë për dashurinë dhe zbulon një prej veprave të tij, përtej reputacionit si ‘djali i prapë’.

“Kemi ndërruar edhe identitet për dashurinë”, përmbylli reperi.

“Shumica e njerëzve s’e konceptonin dot”, gazetarja tregon për miqësitë e saj dhe të partnerit: Nuk bëhem xheloze

Gjatë bisedës në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, gazetarja Pejana Elezi theksoi disa herë rëndësinë që shoqëria e ngushtë ka për të. Ajo u shpreh se partneri, Kledi Bahiti e ka mirëkuptuar dhe nuk e ka penguar në asnjë moment që të vazhdojë të ketë raportet e saj shoqërore.

Gazetarja ndan edhe një episod për të demonstruar afrimitetin që ajo ka me miqtë e saj ku tregon se ka fjetur në të njëjtin shtrat me shokun e ngushtë.

Pejana Elezi: Unë me shokun tim të ngushtë kur iknim për pushime flinim gjithmonë të dy se merrnim një shtëpi, ishim 4-5 veta dhe ishim gjithmonë unë dhe ai, flinim të dy në një dhomë me njëri-tjetrin saqë shumica e njerëzve nuk e konceptonin dot këtë gjë, edhe partnerët, e dashura që kishte ai në atë kohë etj.

Agida Koçi: Nuk bëhej xheloze ajo?

Pejana Elezi: Nuk ka pse të bëhet sepse ishim si motër e vëlla dhe vazhdojmë jemi si motër e vëlla, domethënë njerëz që njohim familjet e njëri-tjetrit, dimë çdo problem, çdo hall, kemi qenë aty për njëri-tjetrin.

Pejana shton se Kledi është në dijeni të të gjitha historive pasi ajo nuk ka pse t’i fshehë asgjë. Njësoj si ajo, edhe ai e ka prezantuar me mikeshat e tij. Së fundmi, ai nuk ndodhet në Shqipëri dhe ka qëndruar me Bleona Qeretin për 2 javë, por gazetarja s’është ndier xheloze në asnjë moment.

Agida Koçi: Po tani që Kledi është jashtë vendit?

Pejana Elezi: Kledi është jashtë vendit dhe Kledi ka ndenjur për 2 javë në shtëpi te prindërit e Bleona Qeretit për shembull. Ishte gjithë kohës, kishte dalë me Bleonën, po hante darkë me Bleonën, hanin drekë të dy, ishin gjithë kohës me njëri-tjetrin. Mund të ketë gra që mund të bëhen xheloze për këtë pjesën, unë s’e kam.

Stresi: Në club-e ça nuk ndodh, jam xheloz

“E dashura ime s’mund të kthehet në 6 të mëngjesit nga club-i”, Stresi e pranon: Jam xheloz!

Stresi nuk e konsideron veten një partner që do ta kufizonte apo kontrollonte të dashurën vazhdimisht, por ka disa kushte. Reperi shprehet për “Shije Shtëpie” në Tv Klan se nëse partnerja do të dilte në mbrëmje, nuk do t’i pëlqente të kthehej kur të zbardhte dita. Gjithsesi, ai thotë se e njeh mirë njeriun në krah të tij dhe e di që kjo nuk do të ndodhte, por edhe ai do të tregonte një përkujdesje të veçantë në raste të tilla.

Stresi: Në momentin e parë që unë e di se  kë kam partnere dhe e di se ajo del në një club, me shoqet e veta, unë po atë rast nuk e marr në telefon, për ta lënë të qetë, që të jetë e qetë me shoqet e veta, që mos ta ketë mendjen te unë “ububu, se mos mendon kështu Arkimedi, obobo mos m’i bie telefonit”. Kurrë nuk do t’i bija telefonit, domethënë duke e ditur që partnerja nuk mund të vijë në 6 të mëngjesit pas club-it, ajo dihet, më kupton.

Ermelinda Ndoja: Pra ndryshojnë oraret?

Stresi: Jo, po s’mund të vish ti në 7 të mëngjesit kur të gdhijë. Kjo s’ka logjikë se po ta bëjmë ne të njëjtën gjë në 7 të mëngjesit edhe mund të mos hapet dera. Por duke e ditur se çfarë njeriu ke në krah, realisht unë nuk i kam këto mendime të këqija, këto mendime negative që ka dalë me shoqet e ngushta, po kënaqet, normalisht që do ndikoj në atë club ku shkon që unë t’ia rezervoj pasi unë këndoj nëpër club-et e Tiranës dhe të kërkoj që të lutem ma kini kujdes është normale sepse sot ka njerëz… ti mund të jesh vajzë shumë e mirë, por ka meshkuj që të ngacmojnë  dhe kjo ndodh përditë.

Gazetarja Adela Hysenllari mendon se kjo është një kufizim ndaj vajzës sepse orari nuk përcakton se çfarë mund të ketë ndodhur ose ajo mund të ndihej keq për shkak të këtij kujdesi që mund ta konsideronte të panevojshëm. Stresi shton se është një masë për të parandaluar çfarëdo ngjarjeje, për më tepër duke qenë partnerja e një personazhi publik por edhe kujdes, përzier me pak xhelozi.

Stresi: Unë po flas për një përkujdesje ndaj saj duke e ditur që në ditët e sotme çfarë ndodh nëpër club-et e Tiranës. Dakord, je xheloz? Po, jam xheloz, normale.

Exclusive/ Stresi jep lajmin e gëzuar për fansat

Albumi i tretë i karrierës së Stresit do të vijë shumë shpejt. Lajmin ekskluziv reperi e dha në “Shije Shtëpie” në Tv Klan ku zbuloi disa detaje shumë pikante rreth tij. Stresi ka zgjedhur tashmë titullin i cili do të mbajë emrin e tij të vërtetë si dhe datën speciale të publikimit.

Stresi: Tani është albumi “Archimed”, titullohet “Archimed” por në frëngjisht “Archimed” sepse unë jam një frankofon, e flas frëngjishten në mënyrë perfekte dhe e shkruaj. Albumi përmban 12 këngë normalisht, jemi duke i ndarë. Patjetër që ka bashkëpunime shumë të forta.

Ermelinda Ndoja: Do të na tregosh ndonjë emër?

Stresi: Ka, ato emra që  i dini, janë.

Ermelinda Ndoja: Po them që nuk di asnjë.

Stresi: Ka emra me artistë shumë të mëdhenj.

Ermelinda Ndoja: Kaq mbetet,  do ta zbulojmë më datë 1 Qershor?

Stresi: Po, me datë 1, e kam vënë për fëmijët e hip-hopit, ta lançoj. 

Kopertina e albumit do të jetë me një përmbledhje fotografish, një mini-album me momente nga jeta e Stresit që kur ishte fëmijë e deri sot. Për albumin po mendohet edhe për promovimin ashtu siç duhet, ka nisur puna edhe për videoklipet e disa këngëve që Stresi ‘nuhat’ se janë më të mirat. Mes 12 këngëve, ai veçon dy të preferuarat e tij.

“Njëra flet për dashurinë, tjetra flet për ndarjen.  I kam të dyja anët e medaljes”.

Por lajmi i gëzuar i albumit pasoi edhe me një deklaratë të papritur të Stresit. Ai shprehet se mendon që ta lërë muzikën në momentin e tij më të mirë.

Stresi: Unë jam 38 vjeç aktualisht dhe jam duke menduar dita-ditës ta lë, në moshën më të mirë.

Ermelinda Ndoja: Të lësh muzikën?

Stresi: Të lë muzikën në moshën 40 vjeç.

Ermelinda Ndoja: Po çfarë do bësh ti pasi të lësh muzikën?

Stresi: Po ato janë gjërat tona  që kemi punuar ndër vite se çfarë do të bëjmë, planet familjare…

Ermelinda Ndoja: Më vjen si habi, është shumë herët.

Stresi: Për mua nuk është herët. Unë kam që në 2005 që merrem me muzikë, gati 20 vjet. Unë jam një djalë që kam kaluar shumë në jetën time me muzikën, por mendoj që është një plan që do vazhdoj të mendoj për familjen time.