Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë një hap pas. Organizata ka tërhequr zyrtarisht projektin “FIFA Forëard Enterprise”, një plan që synonte krijimin e një shoqërie të re për menaxhimin e të drejtave tregtare, licencave dhe organizimit të kompeticioneve globale, përfshirë edhe Kupën e Botës, me mundësinë e përfshirjes së investitorëve privatë. Fillimisht, Infantino e kishte prezantuar nismën si një mundësi për të rritur të ardhurat e futbollit botëror dhe për të siguruar më shumë fonde zhvillimi për 211 federatat anëtare të FIFA-s. Por projekti hasi në kundërshtime të forta nga UEFA, Konfederata Aziatike e Futbollit, drejtues të tjerë ndërkombëtarë dhe edhe nga brenda vetë FIFA-s. Një nga zërat më kritikë ishte ish-këshilltari Carlos Cordeiro, i cili dha dorëheqjen duke e cilësuar projektin të dëmshëm për të ardhmen e futbollit.

Në deklaratën zyrtare, FIFA pranoi se propozimi kishte krijuar ndarje të thella mes drejtuesve dhe institucioneve të futbollit ndërkombëtar. Sipas organizatës, pavarësisht mbështetjes që mund të ketë pasur, vazhdimi i projektit nuk ishte më në interes të misionit kryesor të FIFA-s: bashkimit dhe zhvillimit të futbollit global. Edhe vetë Gianni Infantino theksoi se iniciativa ishte menduar të realizohej vetëm me mbështetjen e shumicës së federatave dhe pas konsultimeve me konfederatat dhe organet drejtuese. Ai shtoi se tashmë prioriteti do të jetë rikthimi i dialogut dhe bashkëpunimit mes të gjitha palëve, me synimin për të vazhduar investimet në zhvillimin e futbollit, veçanërisht në vendet që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

Tërheqja e projektit është mirëpritur nga institucionet kryesore të futbollit botëror. Presidenti i Konfederatës Aziatike e cilësoi vendimin si një sinjal pozitiv, duke theksuar se vendimet që prekin të ardhmen e futbollit global duhet të bazohen gjithmonë në transparencë dhe konsultim të gjerë. Me këtë tërheqje, mbyllet një nga debatet më të forta të ditëve të fundit në drejtimin e futbollit ndërkombëtare.

/tvklan.al