Shkon në 64 numri i studentëve që dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në Akademinë e Sigurisë, i cili merrej me katering nga kompania SORI-AL. Krahas 60 kursantëve të parë, 4 të tjerë janë paraqitur në urgjencë me po të njëjtat simptoma.

Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria e Tiranës vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje. Dosja e helmimit të dytë pritet të bashkohet në një të vetme me helmimin e rastit të parë, ngjarje e ndodhur në fillim të muajit maj të këtij viti.

Përveç kompanisë SORI-AL, që çon ushqimin me katering në Akademi, burimet bëjnë me dije se hetimet janë shtrirë edhe për institucionin e AKU-së. Ky institucion po hetohet për të verifikuar nëse pas rikthimit të aktivitetit të SARI-AL në Akademi, ka kryer ose jo kontrolle të tjera në ambientet e saj gjatë 2 muajve të fundit.

Po ashtu mësohet se sot pritet të merret në pyetje administratorja e kompanisë, A.T, e cila  pas helmimit të parë të studentëve është duke u hetuar penalisht në gjendje të lirë. Grupi hetimor është në pritje të përgjigjes së analizave të mostrave të marra të ushqimit nga AKU, për të përcaktuar shkaqet që çuan në helmimin e 64 studentëve.

Merren në pyetje studentët, kuzhinier dhe administratorja e Sori-Al

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se Komisariati nr 1 në Tiranë ka marrë në pyetje administratoren e Sori-Al, e cila ka deklaruar se ka bërë çdo ditë furnizimin me ushqim për studentët e Akademisë së Sigurisë, siç e parashikon kontrata.

Ajo ka thënë se çdo vakt ushqimor është gatuar dhe më pas shpërndarë sipas procedurave normale duke respektuar kushtet e higjenës.

Në pyetje gjithashtu është marrë kuzhinieri, stafi tjetër që bën ndarjen e ushqimin në porcione për studentët, stafi i shpërndarjes etj. Në pyetje gjithashtu janë marrë dhe studentët e helmuar.

Deri në këtë fazë të hetimit, asnjë përson nuk është marrë në hetim sa i takon skandalit të dytë. Hetuesit po mbledhin provat dhe do të jetë Prokuroria më pas që do të vendosë se cilët persona do të vendosen nën hetim në lidhje me helimin e 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë.

Kujtojmë se 7 maj po të këtij viti, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë përfunduan në repartin Infektiv të QSUT-së prej ushqimit të kontaminuar.

/tvklan.al