Një shpërthim i meningjitit të tipit B (MenB) në qarkun Kent të Mbretërisë së Bashkuar ka shkaktuar shqetësim serioz tek autoritetet shëndetësore, pasi dy të rinj kanë humbur jetën dhe dhjetëra raste të tjera janë raportuar në zonë.

Sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA), viktimat janë një 18-vjeçare nga dhe një studente 21-vjeçare në Universitetin e Kentit. Në total janë identifikuar 15 raste të dyshuara, ndërsa katër prej tyre janë konfirmuar laboratorikisht si infeksione të shkaktuara nga MenB.

Autoritetet kanë njoftuar nisjen e një programi të targetuar vaksinimi për studentët që jetojnë në konviktet e kampusit në Canterbury, me mundësi zgjerimi në varësi të vlerësimit të rrezikut. Paralelisht, prioritet mbetet trajtimi parandalues me antibiotikë për personat që mund të kenë qenë në kontakt me rastet e konfirmuara.

Mbi 30 mijë persona në zonë janë kontaktuar nga autoritetet.

Çfarë është meningjiti dhe sa i rrezikshëm është?

Meningjiti është një infeksion i membranave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore. Ai mund të prekë çdo moshë, por më shpesh shfaqet tek foshnjat, fëmijët dhe të rinjtë.

Sëmundja shkaktohet nga baktere ose viruse. Forma bakteriale, megjithëse më e rrallë, është shumë më e rrezikshme dhe mund të çojë në sepsë dhe dëmtime serioze të trurit. Kur infeksioni përhapet në gjak ose në shtresat e trurit, ai klasifikohet si meningjit invaziv, një formë akute dhe potencialisht fatale.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2024–2025 janë regjistruar 378 raste të sëmundjes invazive meningokokale në Mbretërinë e Bashkuar, ku shumica lidhen me bakterin e grupit B, raporton BBC.

A ekziston vaksina kundër meningjitit?

Po, ekzistojnë disa vaksina që ofrojnë mbrojtje kundër formave kryesore të meningjitit dhe sepsis:
• MenACWY: mbron nga katër grupe bakteresh (A, C, W dhe Y) dhe u ofrohet adoleshentëve.
• MenB: mbron nga grupi B dhe rekomandohet për foshnjat në muajt e parë të jetës, me disa doza dhe përforcues.

Gjithashtu, vaksina të tjera si ajo “6 në 1”, vaksina pneumokokale dhe vaksina MMRV ndihmojnë në parandalimin e infeksioneve që mund të çojnë në meningjit.

Ekspertët theksojnë se mbrojtja e plotë nga vaksinat arrihet pas disa javësh dhe në disa raste kërkohen doza përforcuese.

Pse adoleshentët nuk vaksinohen për MenB?

Vaksina MenB është përfshirë në programin kombëtar britanike të imunizimit vetëm për foshnjat e lindura pas korrikut 2015, çka do të thotë se shumica e adoleshentëve aktualë nuk e kanë marrë atë.

Sipas ekspertëve britanikë, kjo vaksinë nuk është shumë efektive në ndalimin e përhapjes nga personi në person dhe nuk mbulon të gjitha variantet e bakterit, ndërsa mbrojtja nuk është afatgjatë. Për këtë arsye, nuk konsiderohet kosto-efektive për t’u ofruar gjerësisht adoleshentëve.

Megjithatë, në situata të veçanta si shpërthimi aktual në Kent, autoritetet mund të ndërmarrin fushata të targetuara vaksinimi.

Cilat janë simptomat?

Simptomat e meningjitit mund të shfaqen papritur dhe përfshijnë:
• temperaturë të lartë
• dhimbje të forta koke
• qafë të ngurtë
• të vjella dhe diarre
• ndjeshmëri ndaj dritës
• dhimbje muskujsh
• përgjumje ose vështirësi për t’u zgjuar
• konfuzion
• kriza (konvulsione)
• skuqje në lëkurë që nuk zhduket kur shtypet

Autoritetet paralajmërojnë se këto simptoma mund të ngatërrohen lehtë me gripin apo viroza të zakonshme, veçanërisht tek studentët.

Si përhapet meningjiti dhe parandalimi i tij

Bakteri përhapet përmes pikave të pështymës, gjatë kollitjes, teshtimës, puthjeve apo ndarjes së gotave dhe objekteve personale.

Zyrtarët britanikë kanë paralajmëruar se ndarja e cigareve elektronike (vape) apo pijeve mund të rrisë rrezikun e përhapjes, sidomos në ambiente ku të rinjtë qëndrojnë në kontakt të ngushtë për periudha të gjata.

Masa më efektive është dhënia e antibiotikëve për personat që mund të kenë qenë në kontakt me të infektuarit.

Në Kent, trajtim falas po u ofrohet personave që kanë frekuentuar një klub nate në Canterbury në fillim të marsit, si dhe kontakteve të afërta të rasteve.

/tvklan.al