Shpërthimi i fuqishëm gjatë ditës së djeshme në një pallat në Elbasan ka shkaktuar viktimën e dytë sot më 5 nëntor. Hamit Ibro, 69 vjeç është viktima e dytë nga shpërthimi, në pallatin në lagjen “Beqir Dardha” të qytetit.

Trupi i 69-vjeçarit është gjendur nën rrënojat e ndërtesës. Ai rezultonte i zhdukur që në momentin e shpërthimit, teksa ekipet e shpëtimit kanë kërkuar për orë të tëra për gjetjen e tij. Siç raporton gazetari i Klan News Fatos Salliu, shpërthimi ka qenë tepër i fuqishëm dhe ka dyshime që në ndonjë ambient të pallatit të ketë pasur eksplozivë.


Zjarri në pallat shkaktoi 2 viktima, policia: Shkak dyshohet rrjedhja e gazit

Edhe Policia e Elbasanit ka bërë një bilanc në lidhje me ngjarjen tragjike. Efektivët shprehen se pas kontrolleve intensive, u gjet rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H.I 69 vjeç.

Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.

Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.

“Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç.

Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H. B., 82 vjeçe. Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.

Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për vlerësim”, njoftoi policia.


Shpërthimi ka ndodhur mesditën e djeshme rreth orës 14:45 minuta në një pallat 5-katësh, që ndodhej në Unazën Jugore të qytetit të Elbasanit.

Shpërthimi, i dyshuar nga një bombol gazi, ka ndodhur në katin e tretë duke shkaktuar flakë dhe shembjen e këtij niveli të godinës. Për pasojë, gjatë ditës së djeshme ka humbur jetën një 82-vjeçare.

Gjithashtu, 10 persona janë paraqitur në spital për shkak të asfiksisë, mes tyre edhe fëmijë. Shpërthimi është dëgjuar vetëm pak çaste përpara se flakët të përfshinin me shpejtësi ambientet e brendshme të banesës, duke shkaktuar panik te banorët e pallatit.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja bëri një përmbledhje të ngjarjes së rëndë. “Në zjarrfikësen e Elbasanit erdhi një njoftim për një shpërthim pranë autostradës, në një pallat 5-katësh. Menjëherë forcat zjarrfikëse kanë ardhur në vendngjarje, në terren…Është parë një dëmtim i strukturës së pallatit, një shembje e katit të 4-ërt, që ka rënë në katin e 3-të. Gjithashtu ka pasur shembje të shkallëve lidhëse… Janë marrë masat për evakuimin dhe shuarjen e zjarrit në katin e 3-të që është përhapur. Fatkeqësisht kemi pasur një humbje jete, ndërsa një 69-vjeçar rezulton i zhdukur. Kemi pasur 10 persona që janë paraqitur pranë spitalit për të marrë ndihmën e parë, pa problematika për shëndetin”, deklaroi kryebashkiaku Gledian Llatja.

Ai theksoi se pallati është i vjetër, në të cilin janë bërë ndërhyrje vetëm vitet e fundit, ndërsa ka probleme të mëdha konstruktive.

Banorët e pallatit janë shprehur dje të tmerruar nga shpërthimi i fuqishëm.

Njëri prej tyre ka pësuar dëmtime në kokë dhe në pjesën e duarve, pasi i ka rënë dera sipër, nga fuqia e shpërthimit. “Unë jam punëtor i thjeshtë me gjithë gruan, ku do të rrijë? E kam shtëpinë në kat të dytë, më ra era në kokë. Të dëgjosh djalin të bërtasë dhe të mos e ndihmosh dot. Nusja po vinte me djalin tjetër nga shkolla. Kam dalë në ballkon duke kërkuar ndihmë. Tani erdha nga spitali.

Kujt t’i bie në qafë unë sonte? Shpërthimi ka qenë shumë i fortë, nuk e di se çfarë ka ndodhur”, tha banori.

Pas shuarjes së flakëve, pallati 5-kate u kthye në rrënoja dhe tani është i pabanueshëm.