Personalitete të aleancës, politikanë dhe ekspertë flasin për sfidat e sigurisë

15-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka bërë bashkë politikanë dhe ushtarakë në konferencën e organizuar nga “The Albanian Policy Center”, Këshilli i Atlantikut në Shqipëri dhe “Southeast European Security Center”. Ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu tregoi detaje nga puna e bërë deri në anëtarësimin zyrtar të vendit tonë në Aleancë në vitin 2009.

Fatmir Mediu: Shqipëria de facto u bë vend anëtar i NATO-s në Qershor të 2007-ës kur erdhi presidenti amerikan George Bush në Tiranë, i cili bëri që ne të arrijmë kulmin e marrëdhënieve me SHBA, por nga ana tjetër dha dy mesazhe substanciale. Shqipëria në NATO dhe padyshim Pavarësia e Kosovës.

Në konferencën “Shqipëria 15 vjet në NATO-Kërcënime të Sigurisë në Ballkan”, ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj u kthye pas në kohë, duke sjellë në vëmendje përpjekjet e para për të qenë pjesë e NATO-s.

Besnik Mustafaj: Ish-Sekretarja e shtetit amerikan në takimin me mua më tha ju i keni plotësuar tashmë standardet. Më përmendi vetëm një aspekt, angazhimi i shtetit ndaj krimit të organizuar dhe kjo për ne tha është shumë e rëndësishme.  

Gjenerali amerikan Jim Jones, ish-Komandatni Suprem i NATO-s në vitet 2003-2006 dhe ish-këshilltar i sigurisë kombëtare i SHBA 2009-2010, theksoi sfidat me të cilat po përballet Aleanca.

Jim Jones: Sot NATO po përballet me sfida të mëdha sigurie dhe gjeopolitike, veçanërisht pas pushtimit illegal dhe imoral të Ukrainës nga Rusia. Ky nuk është problemi i vetëm që kemi në botë, ndikime të tjera malinje nga Kina e Irani përpiqen të ndalojnë përparimin e Ballkanit në mënyra të ndryshme.

Shqipëria u pranua në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut në qershor të vitit 1992, ndërsa anëtarësimi me të drejta të plota në NATO u realizua më 1 prill të vitit 2009.

Klan News