Shqipëria po preferohet për t’u vizituar nga të huajt edhe gjatë stinës së dimrit. Ekspertët e turizmit rendisin disa nga arsyet pse vendi ynë vizitohet nga veriu në jug gjatë kësaj periudhe.

“Gjatë dimrit ka goxha fluks, ka goxha vizitorë. Në përgjithësi, turistët e huaj që vijnë në Shqipëri preferojnë patjetër Tiranën, po ashtu edhe Shkodrën, Sarandën dhe Korçën. Arsyet se pse turistët e huaj vijnë në Shqipëri gjatë dimrit janë sepse preferojnë vende të qeta, shërbim më të mirë, të ketë më pak fluks dhe çmimet janë më të lira gjatë dimrit”, shprehet eksperti i turizmit, Riges Beqiri.

Kryesisht gjatë dimrit dominojnë turistët nga vendet europiane.

“Kryesisht dominojnë turistët nga Anglia, Italia, Spanja dhe Gjermania. Por nuk mund të lëmë pas edhe Poloninë”, tha Beqiri.

Të rinjtë janë ata që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë gjatë dimrit, sipas ekspertëve të turizmit.

“Janë turistë që i rezervojnë vetë pushimet, pra nuk vijnë me ture të organizuara. Janë kryesisht çifte apo persona që preferojnë të udhëtojnë vetëm. Target-grupi është 30–35 vjeç, vijnë për një periudhë fundjave apo 3-ditore”, shtoi eksperti.

Edhe për vitin 2026 pritshmëritë janë të larta për sa i përket turistëve të huaj, ku tur-operatorët kanë lidhur kontrata me vizitorë nga Europa, por edhe nga SHBA dhe vendet aziatike.

Klan News

/tvklan.al