Në Bruksel janë zhvilluar bisedimet në grupin e punës për zgjerimin për mbylljen së shpejti të kapitullit të 20-të në negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë.
Negociatat për kapitullin 20-të që ka të bëjë me ndërmarrjet e vogla ato të mesme dhe zhvillimin e industrisë u hapën zyrtarisht më 22 maj 2025, gjatë Konferencës së 5-të të Anëtarësimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë në Bruksel, si pjesë e Grupkapitullit 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse.
Fokusi Kryesor i Kapitullit 20-të është promovimi i një ekonomie konkurruese, të qëndrueshme dhe të orientuar nga inovacioni, duke forcuar njëkohësisht një mjedis miqësor ndaj biznesit, veçanërisht për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.
Ky kapitull është negociuar së bashku me shtatë kapituj të tjerë në kuadër të grupkapitullit të 3-të, i cili mbulon fusha si transformimi digjital, taksimi, politika ekonomike dhe shkenca.
BE-ja i kërkoi Shqipërisë të miratonte dhe të zbatonte plotësisht një strategji gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme industriale dhe një politikë të harmonizuar për ndërrmarjet e vogla dhe të mesme.
Shqipëria duhet të demonstrojë koordinim të fortë institucional midis ministrive dhe agjencive përkatëse, së bashku me reduktimin e vazhdueshëm të ekonomisë informale dhe barrës administrative për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Më 14 Korrik u mbyllën tre kapituj negociues, ato për Shkencën e Kërkimin shkencor, Arsimin e Kulturën si dhe për Marrëdhëniet me Jashtë.
Objektivi i qeverisë shqiptare është anëtarësimi i vendit në familjen evropiane brenda vitit 2030.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 