Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar sot në 8 shtator në lidhje me pagat e magjistratëve, të cilat ende nuk janë ekzekutuar për muajin gusht.

Bardhi thekson se Këshilli i Ministrave duhet të zbatojë vendimin e dhënë nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Ai shton se ligji, që është propozuar nga ana e dy deputetëve socialist bie ndesh me vendimin e GJK-së.

Sipas tij, nëse nuk funksionon drejtësia, atëherë vendi shkon në krizë të pashmangshme. Për Bardhin, për këtë krizë ka faj vetëm qeveria, që nuk po respekton vendimin e Kushtetueses.

“Këshilli i Ministrave të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ligji që është propozuar nga dy deputetë socialistë bie ndesh me vendimin e Kushtetueses. Këshilli i Ministrave nuk e ka ushtruar detyrimin për të propozuar projektligj për pagat e gjyqtarëve. Kështu që mbetet të zbatohet vendimi i GJK-së për këtë çështje.

Me bojkotin e punës nga sistemi i drejtësisë nuk do kemi shërbime gjyqësore e nëse ndodh kjo, vendi shkon në kolaps. Për krizën, ka faj vetëm Kuvendi, që nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese“, u shpreh Bardhi.

Në lidhje me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, sot në Kuvend foli edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla. Ai deklaroi se projektligji “nuk do të kalojë me procedurë të përshpejtuar” dhe se do t’i nënshtrohet shqyrtimit në Kuvendin e Shqipërisë më 17 shtator.

Për Ballën, në demokraci kompetenca për caktimin e pagave të punonjësve të sistemit të drejtësisë e ka vetëm Kuvendi.

“Në Kuvend ka 140 deputetë, por vetëm 2 deputetë të PS-së kanë dorëzuar një projektligj që adreson vendimin e Kushtetueses. Kështu po e ushtrojmë përgjegjësinë që na takon. Kemi parashikuar shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në datën 17 shtator. Në demokraci, secili ka këndvështrimin e vet; jurisprudenca nuk është ekzakte. Projektligji është depozituar brenda afatit të caktuar nga Kushtetuesja dhe do të shqyrtohet me prioritet. Është një projektligj që nuk shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar.

Atyre që iu djeg barku, që kur iu teket shkojnë e shajnë me libër shtëpie prokurorë dhe gjyqtarë dhe sot mendojnë se duhet të mbështesin pagat e gjyqtarëve… Si qytetar, mendoj se, në një shtet demokratik, me ndarje të pushteteve, kompetenca për caktimin e pagave është vetëm e Kuvendit. Prisni të flasë Kuvendi”, theksoi Balla.

Mosekzekutimi i pagave për muajin gusht ka bërë që administrata e sistemit të drejtësisë të pezullojë punën gjatë ditës së sotme. Punonjësit e administratës së Dhomës Civile dhe asaj Penale të Gjykatës së Tiranës e kanë bojkotuar punën.

Bojkotit iu bashkuan më pas edhe punonjësit e Gjykatës së Apelit të Përgjithshëm. Ata pretendojnë se sa kohë konflikti mbi pagën nuk iu përket atyre, pasi lidhet vetëm me magjistratët, paga e tyre do të duhet të ishte e kaluar.

Sot pritet që një vendim për çështjen e pagave të marrin edhe gjyqtarët dhe prokurorët.