Tri pikë në raundin e parë, një trajner i ri, një skemë interesante dhe disa role të riformatuara. Shqipëria nuk ka ende përgjigjet për të gjithë ciklin, por ka marrë startin që kërkonte. Tani, me objektivin e vendit të parë të vendosur që në nisje, sfida është të kthehet kjo frymë e re në vazhdimësi.

Në stolin ku debutoi zyrtarisht Rolando Maran, kuqezinjtë e nisën rrugëtimin në Ligën e Kombeve me një 2-0 ndaj Bjellorusisë, duke lënë pas pesë humbje radhazi. Maran solli ndryshime dhe ato nisën që nga porta. Etrit Berisha u rikthye mes shtyllave, duke marrë sërish vendin e titullarit, ndërsa Mario Mitaj e ndoqi takimin nga stoli. Janë zgjedhje që tregojnë se Maran ka nisur të ndërtojë Shqipërinë e tij, me alternativa dhe role të reja në funksion të një objektivi të vetëm.

Ndeshja u zhbllokua në pjesën e parë. Berat Gjimshiti fitoi penalltinë dhe Kristjan Asllani mori përsipër ekzekutimin. Mesfushori nuk gaboi, duke i dhënë Shqipërisë avantazhin dhe qetësinë për të menaxhuar më mirë sfidën.

Një Shqipëri më sulmuese, më e drejtpërdrejtë dhe me më shumë lojtarë të pozicionuar pranë portës kundërshtare. Në këtë ide të re, Ernest Muçi duket se ka një rol të rëndësishëm. Sulmuesi ishte protagonist, duke shënuar golin e dytë dhe duke dhënë sinjalin se mund të jetë një prej pikave të referimit të këtij projekti.

Pjesa e dytë rezervoi minuta edhe për Uzunin, Dakun, Mehmetin dhe Shehun, të cilët janë alternativa me vlerë, duke i dhënë trajnerit një stol të pasur dhe mundësi të shumta zgjedhjeje gjatë ndeshjes.

Një fitore që, përtej rezultatit, i jep Maranit sinjalin e parë pozitiv. Trajneri vlerëson mënyrën se si skuadra zbatoi atë që ishte përgatitur dhe, mbi të gjitha, shpirtin e grupit.

“Djemtë kanë interpretuar çdo gjë që punuam gjatë javës. Jam i lumtur që tifozët tanë e panë skuadrën të luante mirë. Jemi të lumtur. Mendoj se duhet të vlerësohet shpirti i skuadrës dhe sakrifica për njëri-tjetrin. Të gjithë lojtarët e kanë bërë shumë mirë. Dua t’i bëj komplimente skuadrës, mund ta mbyllnim ndeshjen me më tepër gola.”

Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve ndaj San Marinos në transfertë. Takimi do të zhvillohet ditën e martë dhe do të transmetohet në televizionin kombëtar Klan.

Tv Klan

/tvklan.al